Rritja e çmimeve, rrit revoltën e qytetarëve: Protesta dhe bojkotim i mundshëm në RMV
Në prag të verës, punëtorët po llogarisin nëse do të jenë në gjendje të përballojnë pushimet këtë vit. Dy muaj pas përfundimit të masave të kufizuara të fitimeve, kostoja e jetesës është rritur, dhe bashkë me të edhe revolta e sindikatave. Ata po kërkojnë kontrolle të forcimit dhe rritje të pagave, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Ende nuk mund ta besoj se çfarë çmimesh kanë produktet në treg, sidomos frutat dhe perimet. Një kalli misër shitet për 109 denarë, ndërsa një e katërta e një shalqiri kushton 200 denarë, ndërsa qershitë vazhdojnë të shiten me një çmim astronomik, e disa qindra gram shiten për 170 denarë”. Këtë gjë e ka vënë re Bllagica T. nga Shkupi në një treg të njohur, e cila thotë se iu desh të zgjidhte se çfarë të blinte për fëmijën e saj trevjeçar që të mos shpenzonte “një pasuri të tërë”.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ajo thotë se më shumë e irriton ajo shenja për zbritje tek ato produkte, çmimet e të cilave janë ulur vetëm me një ose dy denarë.
“Në treg 1.000 denarë sot nuk vlejnë as sa 500 denarë disa vite më parë”, shton kjo banore e Shkupit.
Ushqimi gjithnjë e më i shtrenjtë
Rritja e shpenzimeve për jetesë u regjistrua edhe nga Enti Shtetëror i Statistikës, i cili njoftoi se në muajin maj inflacioni u rrit për 1,5 përqind krahasuar me muajin prill.
Krahasuar me muajin maj të vitit 2024, rritja është 3,3 përqind. Rritja më e madhe është regjistruar tek ushqimet dhe pijet joalkoolike.
Nëse trendi i zvogëlimit të fuqisë blerëse vazhdon, punëtorët nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në protesta për të kërkuar paga më të larta. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thotë se nëse nuk i ulin çmimet janë të mundshme edhe bojkote të reja të marketeve.
“Për fat të keq nuk ka asnjë sinjal për rritjen e pagave nga përfaqësuesit e pushtetit dhe punëdhënësit. Vendimi i fundit për pagën minimale u mor pa Këshillin Ekonomik dhe Social, ndërsa nëse do të ketë një seancë të re, kërkesa e LSM-së përsëri do të jetë për një pagë minimale prej 500 eurosh dhe një rritje prej 100 eurosh të të gjitha pagat e tjera, në mënyrë që punëtorët të mos e ndiejnë rritjen e çmimeve”, tha për Radion Evropa e Lirë Ivan Peshevski, nënkryetar i LSM-së për sektorin privat.
Pushimet po bëhen luks
Përllogaritjet e fundit nga Sindikata tregojnë se një familje me katër anëtarë ka nevojë për gjithnjë e më shumë para për ta kaluar muajin.
Nëse shporta sindikale e muajit prillit kushtonte 62.691 denarë, shporta minimale e muajit maj arriti një vlerë prej 63.908 denarësh.
Peshevski thotë se qytetarëve nuk do t’u mbeten as edhe 10.000 denarë për një pushim shtatëditor në një shtëpizë në Dojran, aq sa janë parashikuar në shportë.
“Përveç se për produkte bazë dhe barna, nuk mbeten fonde për pushime vjetore, pavarësisht faktit se punëdhënësit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik janë të detyruar të paguajnë regres për pushimeve vjetore. Duke marrë parasysh se sa qytetarë të Maqedonisë janë në borxhe, do të shohim se jemi një popull që jeton me kredi ose me një bilanc negativ në kartat e kreditit. Pagat thjesht nuk mjaftojnë për të jetuar, e lëre më për pushime vjetore me familjen”, thotë Peshevski.
Çmimet do vazhdojnë të rriten
Analisti ekonomik Arben Halili thotë se sindikata ka të drejtë të plotë ta kërkojë këtë, por edhe detyrim për të siguruar produktivitet më të madh, sidomos në administratën shtetërore.
“Kemi një administratë të mbipopulluar që kërkon rritje të pagës minimale dhe mesatare, por nga ana tjetër, duhet të pyetemi se çfarë ofron ajo administratë shtetërore. Kemi nevojë për një ndërhyrje për ta ulur numrin e punonjësve dhe për ta rritur produktivitetin e tyre, e me këtë edhe për t’i rritur pagat e tyre. Në të kundërtën nuk do të kemi as kuptim moral dhe as ekonomik”, thekson Halili në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, sindikalistët tashmë po i përfundojnë përllogaritjet e reja. Ato tregojnë se do të ketë një rritje të re të shpenzimeve, gjë që ata planifikojnë ta përdorin si alibi për shtrenjtësinë në negociatat e mundshme me autoritetet.
Këto janë pritshmëritë e analistit Halili, i cili është i mendimit se çmimet do të vazhdojnë të rriten. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ai thotë se kjo është si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm vendor.
“Nëse më parë njiheshim si një vend bujqësor, sot kemi nevojë për ndryshime drastike në politikat bujqësore. Për bujqësinë çdo vit shpenzohen burime të mëdha financiare, por paralelisht me rritjen e subvencioneve, kemi një rënie drastike të prodhimit”, thotë Halili.
Prodhimtaria vendore si një masë afatgjatë
Sipas tij pikërisht prodhimtaria e rritur vendore do e ndalojë rritjen e inflacionit.
“Dy vjet më parë thonim se inflacioni ishte për shkak të Covid-it, por për sa kohë që vazhdojmë të jemi një vend i varur nga importi, nuk do ta mbajmë inflacionin nën kontroll. Nevojiten politika më të mira ekonomike zhvillimore, duke angazhuar më shumë kompani vendore në zbatimin e projekteve kapitale, e sidomos investime në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit”, thotë Halili.
Përveç kësaj, për një ekonomi më të qëndrueshme nevojiten inspektime më efikase që, përveç çmimeve, do ta kontrollojnë edhe cilësinë e produkteve.
Për efikasitet më të madh sidomos të Inspektoratit të Tregut aludon edhe Lidhja e Sindikatave, nënkryetari i së cilës Peshevski beson se nuk e ka përfunduar plotësisht punën e saj gjatë kohës së zbatimit të masës me kufizimin e marzhës.
Kjo masë të cilin Qeveria e miratoi në muajin shkurt, ishte në fuqi deri në fund të muajit prill. Me atë u kufizuan marzhet e fitimit bruto për mbi 1000 produkte ushqimore dhe joushqimore në tregtinë me pakicë dhe shumicë. Peshevski thotë se me të, shpenzimet mujore u rritën për rreth 300 denarë, por më pas u rritën për një mijë.
“Inspektoratet e Tregut dhe të Punës veprojnë vetëm mbi bazën e raportimeve të caktuara. Në vendin tonë duhet të ketë inspektime të vazhdueshme në terren. Qytetarët janë të detyruar të blejnë bukë, produkte qumështi dhe mishi për ta mbijetuar muajin, por nga ana tjetër, aparati shtetëror përmes inspektorateve duhet të përfshihet dhe t’i diktojë këto gjëra – sa duhet të fitojnë tregtarët, sa më pak duhet të varfërohen punëtorët”, shton Peshevski.
Zënkat partiake për inflacionin
Rritja e çmimeve është bërë përsëri një temë zënke midis qeverisë dhe opozitës, të cilët po ia “hedhin topin” njëri-tjetrit për standardin e ulur të jetesës së qytetarëve në vend.
“Jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, ndërsa qeveria nuk ka as plan dhe as kapacitet për ta mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve. Por, sigurisht, ajo ka një plan të mirë për t’i rritur pagat e veta”, akuzoi LSDM-ja në një deklaratë me shkrim.
Partia opozitare e akuzoi qeverinë se nuk ka vizion ekonomik, por vetëm interesa personale. Nga ana tjetër, partia në pushtet, VMRO-DPMNE, u përgjigj se situata ekonomike është e trashëguar.
“Kur LSD flet dhe derdh lot krokodili për inflacionin, i cili gradualisht po ulet dhe po vihet nën kontroll, nëse kanë harruar, ne ua kujtojmë se gjatë qeverisjes së tyre inflacioni, i cili gërryente standardin e jetesës së qytetarëve, ishte dyshifror”, thanë nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet në reagimin e saj.