RMV përsëri pro vrasjeve izraelite në Gaza, votoi e përmbajtur në rezolutën që kërkonte armëpushim

149 vende nga e gjithë bota votuan “pro” një armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve në Gaza, por Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria abstenuan. Rezoluta kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe qasje të pakufizuar për të shpërndarë ushqimin e nevojshëm urgjentisht për dy milionë palestinezë që jetojnë në kushte të tmerrshme për shkak të agresionit izraelit, transmeton Portalb.mk.

Përpara votimit, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e kundërshtoi rezolutën, duke mohuar se Izraeli po përdorte urinë si armë dhe këmbënguli se po shpërndahej ndihma humanitare, pavarësisht se ndodh e kundërta.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë përfundoi me 149 vota “pro”, 12 “kundër” dhe 19 abstenime, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila, së bashku me Shqipërinë, ishin të vetmit vend në rajon që nuk votuan “pro” rezolutës.

Dokumenti ishte i përgatitur nga Spanja,  dhe dënon fuqimisht urinë e civilëve si një metodë lufte.

Kujtojmë se edhe më 8 prill 2025, në fund të sesionit të tij të 58-të, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm 2 shtete ishin kundër Maqedonia e Veriut dhe Çekia.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së  që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.

Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.

Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.