Shkoi në 7 numri i të vrarëve në Cetinje të Malit të Zi
Shtatë persona, mes tyre dy fëmijë, kanë vdekur në një krim pasditen e sotme në Cetinje, transmeton Kosova Press.
Policia është vënë në kërkim të Aco Martinoviq nga Cetinja. Katër persona të cilët besohet se janë plagosur janë pranuar në Qendrën Klinike.
Martinoviq ka nisur krimin në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive. Pas krimit në atë tavernë, vazhdoi festën e përgjakshme.
Fillimisht, në lokal raportohet të ketë ndodhur një përleshje, pas së cilës i kërkuari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar.
Drejtoria e Policisë i ka apeluar qytetarëve të Cetinjes të qëndrojnë në objektet e tyre banesore, ndërsa të gjitha njësitet policore në dispozicion janë në terren dhe janë duke ndërmarrë aktivitete në kuadër të juridiksionit të tyre me qëllim të vënies nën kontroll të situatës dhe ndjekjes penale të autorëve.
Qeveria e Malit të Zi do të shpallë tri ditë zie për tragjedinë në Cetinje, ka bërë të ditur sonte kryeministri Milojko Spajiq.
Ai gjithashtu kërkoi që të gjitha ngjarjet në natyrë në të gjithë shtetin të anulohen.
“Tragjedia e tmerrshme na goditi të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë, gjithçka në dispozicion, janë në Cetinje. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur”, tha Spajiq për RTCG.
Spajiq tha se katër persona janë lënduar rëndë dhe se mjekët po luftojnë për jetën e tyre.
Ai tha se nesër pritet të mbahet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ku do të shqyrtohen të gjitha modulimet, përfshirë edhe ndalimin e plotë të përdorimit të armëve.
“Kjo është një tragjedi që duhet të na bëjë të pyesim veten se kush mund të ketë armë në Mal të Zi, si sport, ashtu edhe gjueti, ne kuptojmë gjithçka, por duhet të shtrëngohen më shumë kriteret dhe dënimet për ata që posedojnë armë pa leje, që mbajnë armë ilegalisht. Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht”, tha Spajiq.