Petrovska për vizitë në SHBA, takim me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe shënimin e partneritetit 30 vjeçar me GK Vermont

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska ka mbërritur për vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të ketë takime të shumta me përfaqësues të rangut të lartë të administratës amerikane, përfshirë edhe sekretarin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, transmeton Portalb.mk.

Në një video deklaratë para fillimit të agjendës intensive, ministrja Petrovska informoi për këtë takim si dhe për aktivitetet tjera në SHBA, përfshirë vizitën në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut dhe shënimin e 30 vjetorit të themelimit të partneriteti ndërmjet Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gardës Kombëtare të Vermontit në Berlington.

Në takimin me sekretarin amerikan të mbrojtjes Austin, tha Petrovska, do të bisedohet për të ardhmen, sfidat dhe se si të dyja vendet mund të mbesin garantues të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit dhe të hapësirës euroatlantike.

“Nëse diçka e ndan vendin dhe politikën tonë nga të tjerët, është se ne jemi zëri i arsyes dhe mençurisë. Politika jonë ka qenë gjithmonë e bazuar në vlera dhe mundësi, çiltërsi dhe ndershmëri. Vlerat euroatlantike janë udhërrëfyesi ynë në marrjen e çdo vendimi dhe miqtë dhe mbështetësit tanë amerikanë e vlerësojnë vërtet këtë. Hezitimi dhe vonesa në marrjen e vendimeve politike nuk është karakteristikë e liderëve dhe vetëm e kthen vendin prapa. Jetojmë në një kohë me sfida serioze kur vendimi shtetëror është obligim ndaj atdheut, jo vullnet i mirë”, tha Petrovska.

Një pjesë e konsiderueshme e vizitës ka për qëllim shënimin e 30 vjetorit të themelimit të partneritetit strategjik ndërmjet Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gardës Kombëtare të Vermontit. Në Berlington, ministrja Petrovska do të vizitojë disa objekte të Gardës Kombëtare të Vermontit, do të ketë takim edhe me guvernatorin e këtij shteti federal, Phil Scott, ndërsa  nikoqir i delegacionit, ku është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë , gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski do të jetë komandanti i Gardës Kombëtare të Vermontit, Gjeneral Gregory Knight.

“Me Gardën Kombëtare kemi treguar se ushtarët tanë janë aleatë të vërtetë, por edhe miq mes të cilëve ka respekt dhe besim reciprok. Ndërsa pikërisht është besimi ai që mund të hapë gjithmonë mundësi të reja për bashkëpunim, zhvillim dhe të japë energji dhe ambicie të reja për suksese më të mëdha”, tha ministrja.

Në SHBA janë planifikuar takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe një vizitë në Agjencinë e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së SHBA-së dhe një takim me drejtorin e saj, James Hrsh.

Delegacioni do të vizitojë edhe Universitetin Norwich, ku do të diskutohet për vazhdimin e bashkëpunimit të këtij kolegji më të vjetër ushtarak privat me Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski”.