ShGM dhe UNDP ndanë çmime në temën “Kreativiteti dhe etika gazetareske”

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot solemnisht ndanë çmimet për “Kreativitet dhe etikë gazetareske”. Çmimi i parë iu nda gazetarit Mihail Millosevski nga 360 gradë me storjen e titulluar “Klubi bullgar në Kosovë i hapur nga Jotova – nën çelës”. Bëhet fjalë për pjesën jugperëndimore të shtetit më të ri evropian, Kosovës. Dhe aty, përveç shqiptarëve dhe boshnjakëve, një pjesë e madhe e popullsisë deklarohet si goranë – popull me fe myslimane që flet gjuhën sllave të jugut, transmeton Portalb.mk.

Çmimi i dytë iu nda Ardit Ramadanit, nga media mollekuqja.mk, me storjen me titull “Statistika: Gratë në MV s’e marrin hisen që ju takon, tradita më e fuqishme se ligji”. Kjo histori ndan statistika ku gratë në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgimia e tyre për të mos prishur marrëdhëniet me vëllezërit e tyre. Sipas regjioneve, në Pollog ka më pak pronare femra dhe vetëm 17 për qind e grave posedojnë pronë në Tetovë dhe Gostivar.

Çmimi i tretë iu dha katër gazetareve – Vanja Micevska dhe Vesna Kolovska për tri storje dhe për Valentina Vurmo dhe Aneta Risteska.

Përveç të shpërblyerve, sot një mirënjohje të veçantë iu dha edhe Elena Gagovska për tregimin “Anatomia e vrasjes në Koçan”.