Shfaqje filmi dhe diskutim në Tetovë me temë dhuna digjitale me bazë gjinore

Rrjeti “Stella” ka nisur aktivitetet për trajtimin e dhunës digjitale me bazë gjinore dhe është plotësisht i angazhuar në afirmimin e barazisë gjinore si në sferën online ashtu edhe atë offline, bëjnë të ditur nga ky rrjet. Maqedonia, përkundër përparimit të saj në barazinë gjinore – me rezultat të fundit prej 64.5 pikësh në Indeksin e Barazisë Gjinore, po përballet me një betejë të vështirë, thonë nga Stella, transmeton Portalb.mk.

“Dhuna digjitale, veçanërisht korrelacioni i saj me dhunën me bazë gjinore, është shqetësim urgjent në Maqedoni. Të dhënat globale që zbulojnë se 58 për qind e grave i kanë mbijetuar dhunës dixhitale, një pjesë e madhe e së cilës përballen edhe me kërcënime fizike dhe seksuale, janë tmerruese. Në vendin tonë, rastet si “Dhoma Publike” janë vetëm një shembull ku abuzohet me përmbajtje eksplicite pa pëlqim, shantazhohen dhe targetohen gratë dhe vajzat”, thonë ata.

Ata planifikojnë të organizojnë pesë ngjarje. Do të nisin më 25 tetor në Space Tetova me diskutimin e librit dhe shfaqjen e filmit “Rrethi”, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë botën e teknologjisë, privatësinë dhe kufijtë personalë. Si pjesë e diskutimit, do të diskutohet edhe një fjalorth i dhunës me bazë gjinore të bërë me (keq)përdorim të teknologjisë. Regjistrimi për këtë event është në këtë link.

“Do të shënojmë edhe ngjarjen “16 ditë aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore”, duke punuar për ndërgjegjësimin për të gjetur së bashku zgjidhje, si dhe parandalim dhe mbrojtje. Do të ketë edhe një fushatë multimediale, në të cilën do të përdoren mjete interaktive për të hedhur dritë mbi dhunën digjitale, që do të synojë të rinjtë. Duke forcuar potencialin e solidaritetit, presim që të rinjtë të marrin pjesë në krijimin e përmbajtjes”, thuhet në njoftimin e rrjetit “Stella”.

Ndryshe, shumë pak qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë në dijeni se çdo ngacmim, qoftë përmes rrjeteve sociale apo në jetën e përditshme, paraqet vepër penale, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut. Me ndryshimet ligjore në Kodin Penal, të cilat u bënë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në shkurt të këtij viti, ngacmimi paraqet vepër penale.

Në këto ndryshime, ngacmimi përfshin ndjekjen e vazhdueshme në mënyrë të paautorizuar, persekutimin dhe ndërhyrjen në jetën personale të tjetrit, krijimin e kontaktit të padëshiruar me lëvizjen në hapësirën ku ai person gjendet. Po ashtu, ngacmimi përfshin edhe abuzimin duke përdorur të dhënat personale, duke përdorur mjetet e komunikimit, ngacmimin ose frikësimin, shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë, ankthit ose frikës për viktimën.