Shkodër: Një 9-vjeçare dyshohet se u vetëvra pas dhunës së ushtruar nga babai

Policia shqiptare njoftoi se për shkak të dhunës së ushtruar nga babai, një vajzë nëntë vjeçe në qytetin e Shkodrës dyshohet se u vetëvra. Po ashtu, dyshohet se janë vetëmbytur edhe nëna me dy fëmijët e tjerë të moshës tetë dhe tre vjeç, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare u gjet mbrëmjen e së shtunës në lumin Buna.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimin në lumin Buna për gjetjen e nënës dhe dy fëmijëve të tjerë.

Më 2 maj, nëna me tre fëmijët e saj ishte larguar nga shtëpia dhe një ditë më pas bashkëshorti i saj kishte denoncuar për zhdukjen e tyre në policinë shqiptare.

“Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje”, tha policia në Shkodër përmes një njoftimi për media.

Policia shqiptare ka arrestuar 31-vjeçarin nën dyshime për dhunë të ushtruar ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tyre dhe për shkak të vetëvrasjes së vajzës 9 vjeçe, që dyshohet se u nxit si pasojë e dhunës.

I arrestuari ka të kaluar kriminale, pasi më herët ishte dënuar për kultivim të bimëve narkotike.

Policia në qytetin e Shkodrës tha se po vazhdon punën për gjetjen e nënës dhe dy fëmijëve të tjerë si dhe për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.