“Gjurmë dhe ngjyra kohe” u promovua libri më i ri i Fejzi Bojkut që të ballafaqon me “Flakën” e Titos

Të martën mbrëma në hollin e Hamamit “Daut Pasha” në Shkup mes shumë emrash të shquar të botës akademike u promovua libri i shkrimtarit të njohur nga Shkupi Fejzi Bojkut “Gjurmë dhe ngjyra kohe” – Kronikë e gazetës Flaka e Vëllazërimit (35 vite: 4 prill 1945 – 4 maj 1980), njofton Portalb.mk

Promovimi i librit'' Gjurmë dhe ngjyra kohe''
Promovimi i librit” Gjurmë dhe ngjyra kohe”

Një kronikë e rëndësishme e jetës socialiste ose të qenit gazetar në kohën kur i vetmi medium informimi ishte gazeta, në mungesë të krejt tjerave që janë shumë prezente sot. Sot, mungojnë gazetat për të cilat ndjen keqardhje autori dhe sidomos i mungojnë revistat për fëmijë “Gëzimi” dhe “Fatosi” , kjo sepse e di ç’do të thotë të kontribuosh për këto mosha dhe se si ndikon në formimin e tyre, pasi kryesisht i ka shërbyer kësaj letërsie. Në promovimin e librit u sollën në vëmendje raste interesante nga “Flaka” për të cilën autori u shpreh: “Në Flakë, nëpër flakë, pranë flakës”. Kësisoj e përshkruan punën në këtë gazetë. Në vitin 1995 Gazeta “Flaka e vëllazërimit” mbushi 50 vjet të veprimtarisë së saj. Njëra nga detyrat kryesore për shënimin e këtij jubileu ishte shënimi i rrugës 50 vjeçare të kësaj gazete nga dita e daljes së parë më 4 prill 1945. Këtë detyrë këshilli për shënimin e jubileut Ia besoi Fejzi Bojkut i cili në Flakën e Vëllazërimit në detyra të ndryshme i kaloi mbi 32 vjet deri në daljen në pension.

Gazeta që asokohe dilte 3 herë në javë gjatë tërë vitit jubilar 1995 në 150 numrat e saj me nga një faqe gazete shënoi rrugën e jetës dhe veprës madhore të Gazetës dhe botimeve të saj. Vajza e autorit që moderoi mbrëmjen, shkrimtarja Lira Bojku, para të pranishmëve tha: “Për të ardhur deri te ky libër që keni në duar sot, autori  i hoqi pluhurin qindra kompletëve me mbi njëzet mijë faqe gazete… me dëshirën që të sjell te lexuesi mundësinë që të mësojë edhe diçka nga e kaluara, që lexuesi i sotëm dhe i nesërm, gjysmëshekullin e qindra kompleteve voluminozë të gazetës, t’i ketë si një libër prej 1000 faqesh në bibliotekën e vet. Sepse përjetimet nga e kaluara duhet të na shërbejnë si mësim për të ardhmen siç thotë autori në faqet e këtij libri”

Promovimi i librit'' Gjurmë dhe ngjyra kohe''
Promovimi i librit” Gjurmë dhe ngjyra kohe”

Promotorët e këtij libri ishin ish-kolegë gazetar, njerëz të sferës akademike fjala e të cilëve ka peshën e madhe. Mes shumë kujtimesh e ngjarjesh që u sollën për publikun nga folësit, të ngjante sikur u hap një arkiv i tërë i një bote tjetër ku asgjë më s’ngjante si dikur. Të gjithë vunë theksin te figura e mësuesit e cila është rrënuar dhe me të edhe arsimi. Si edhe te humbja e vlerave demokratike në një botë që quhet demokratike. Folësit ishin Daut Dauti, Kim Mehmeti, Osman Kadriu, Aziz Pollozhani, akademik Ali Aliu.

Promovimi i librit'' Gjurmë dhe ngjyra kohe''
Promovimi i librit” Gjurmë dhe ngjyra kohe”

“Libër që i kundërvihet harresës” e cilëson kështu shkrimtari Kim Mehmeti publikimin e kësaj vepre: “Libra si ky i Fejzi Bojkut që kanë të bëjnë me mbamendjen kolektive nuk i zhbën as koha as harresa. Përkundrazi, vlerat e librit të kësaj natyre rriten me kalimin e kohës, me ardhjen e brezave të rinj që do duan të dinë diçka më shumë për të shkuarën e të parëve të vet,…. kronikë kjo disa-dekadëshe pa të cilën gjeneratat e ardhme nuk do mund ta kuptojnë se nga ecën të parët e tyre që të arrihej aty ku janë ata sot”.

Libri i Fejzi Bojkut “Gjurmë dhe ngjyra kohe” përbëhet nga shënime, pikëpamje, komente të autorit, shkrime për numrat e gazetës së quajtur prej shumë vitesh “Flaka e Vllaznimit” e më pas “Flaka e Vëllazërimit” dhe nga shënime, fragmente, artikuj, shembuj karakteristikë të ngjarjeve më të rëndësishme nga gazetat e mbledhura prej më shumë se 35 vitesh… pjesa tjetër diku dy dekada (dekada e 8 dhe 9) deri në vitin 2000, në një formë tjetër janë përfshirë në faqet e DITARIT dy vëllimësh Ditari 1 “Në prangat e shqetësimit” dhe Ditari 2 “Marsi i Pranverave të vonuara” të botuara në vitin 2021.

Ky libër përfshin 150 tema, ku për çdo vit trajtohen tre deri në katër nga temat më të rëndësishme të kohës, të trajtuara në rubrikat e politikës së jashtme dhe të brendshme, rubrika e kulturës, e veçanërisht arsimi dhe shkollimi, përgatitja e mësuesve të parë si dhe shumë tema të tjera të prezantuara nga e vetmja gazetë në gjuhën shqipe, me të gjitha sukseset dhe sfidat e paraqitura në atë zhvillim.

NJË BIOBILGIOGRAFI E SHKURTËR E AUTORIT

Fejzi Bojku u lind më 24 mars të vitit 1937 në Veleshtë të Strugës. Mësimet e para i kreu në vendlindje. Shkollën normale për mësues, Shkollën e Lartë Pedagogjike (frëngjishtes dhe maqedonishtes) pastaj Fakultetin Filologjik për gjuhë dhe letërsisë shqipe po ashtu në Shkupit. Në vitin 1964 kreu studimet njëvjeçare për gazetari në Beograd. Studimet e magjistraturës për gjuhë dhe letërsi i ndoqi në Prishtinë.

Punoi pak kohë mësues në vendlindje dhe pastaj një kohë të gjatë, nga viti 1960 deri në vitin 1993, mbi tridhjetë e tre vjet si gazetar në “Flaka e vëllazërimit” në fillim në rubrikën e arsimit dhe të kulturës, kurse ma vonë deri në vitin 1991, plot 27 vjet, ishte redaktor përgjegjës i revistave “Gëzimi” e “Fatosi”. Dy vitet e fundit, ishte kryeredaktor i Ndërmarrjes Botuese “Flaka e vëllazërimit”.

Me krijimtari origjinale e me përkthime nisi të merret ende si nxënës i shkollës së mesme, dhe gjatë dekadave botoi mbi njëzet  vepra në prozë dhe poezi disa nga të cilat pësuan nga disa ribotime dhe u përkthyen në disa gjuhë si maqedonisht, serbo-kroatisht, turqisht, anglisht, gjuhën malazeze etj.

Gjatë tri dekadave të punës së tij si redaktor përgjegjës me këto dy revista bashkëpunuan me vite shumë emra të cilët  i njohim si shkrimtarë të dalluar.

Në vitin 2021  botoi ditarin në dy vëllime: “Në prangat e shqetësimit”, dhe “Marsi i pranverave të vonuara” mbi 700 faqe.

Autori krahas veprave origjinale përktheu një numër të madh, mbi 50 vepra për fëmijë dhe të rritur, nga maqedonishtja, serbishtja dhe  frëngjishtja. 6-7 vepra të autorit janë përkthyer po ashtu në gjuhë tjera. Është autor i mbi 50 vështrimeve, kritikave, dhe recensioneve i veprave letrare për fëmijë dhe të rritur. Bojku është njëri nga 3 anëtarët e redaksisë të lekturës së parë shkollore për nxënësit shqiptarë të shkollës fillore në Maqedoni; 80 tituj me tirazh nga 10.000 kopje, në vitin 1977. Fejzi Bojku si koautor  është fitues në konkursin e Ministrisë së Arsimit  për vitin 2009 për librat e leximit: Gjuha shqipe 4, Gjuha shqipe dhe leximi 6, Gjuha shqipe dhe leximi 7.

Për veprimtarinë e tij mbi 50-vjeçare në fushën e kulturës dhe veçanërisht të artit dhe krijimtarisë letrare, nga një numër i madh mirënjohjesh dhe çmimesh do të veçonim:

  • Më 17 shkurt 1984, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë i ndau Plaketën e argjendtë për aktivitet 25 vjeçar dhe kontribut të veçantë në zhvillimin e gazetarisë në RSM,
  • Në 40 vjetorin e SHGB “Detska radost” iu nda Mirënjohje për kontribut të veçantë në zhvillimin e shtypit për fëmijë në Maqedoni.
  • Në vitin 1985, me rastin e 40 vjetorit të gazetës ,,Flaka e vëllazërimit”, 35 vjetorit të revistës Gëzimi, 30 vjetorit të  Fatosit, Këshilli i OPB i ndau Mirënjohje për kontribut të posaçëm në informim
  • Në vitin 2011 F. Bojku ishte fitues i Çmimit për përkthime veprash letrare nga maqedonishtja dhe gjuhët tjera në shqip dhe anasjelltas gjatë 50 viteve të kaluara. Ky çmim i Shoqatës së përkthyesve letrarë të Maqedonisë mban emrin e shkrimtarit Abdylazis Islami.
  • Më 13 nëntor 2012 i ndahet “Çmimi 13 Nëntori” i Qytetit të Shkupit për veprimtari letrare 50 vjeçare.
  • Çmimi shtetëror “23 Tetori” në vitin 2015 është çmimi më i lartë që i ndahet shkrimtarit Fejzi Bojku për vepër jetësore në fushën e kulturës dhe të artit në Republikën e Maqedonisë.
  • Çmimi shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2021 është mirënjohje më e lartë për arritjet në sferën e jetës politike, kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut për kontributin në avancimin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në RMV.

Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë është nga viti 1976.

Për jetën dhe veprën e autorit kanë shkruar mbi 50 emra të njohur, shkrimtarësh, kritikësh letrarë, profesorë të nderuar.