Sheshi Skënderbeu u kthye në vendgrumbullim mbeturinash pas festës së mbrëmshme për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Shirita të bardhë me të kuqe ë lidhur në shtylla, mbetjet e tyre të shpërndara gjithandej, kosha të tejmbushura dhe kontejnerë të kthyer në deponi të vogla, mbeturina të shpërndara ku mbizotërojnë shishet plastike. Kjo ishte pamja mëngjesin e sotëm në sheshin “Skënderbeu” në Shkup – vendi ku mbrëmë u mbajt manifestimi qendror për shënimin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë. Një pjesë e mbeturinave grumbullohen, por makinat e parkuara i shkelin ato, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Ministria për Sistemi Politik, e drejtuar nga Zëvendëskryeministri i Parë – Artan Grubi, ishte përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të këtij viti, e cila nga ana e saj transmetoi drejtpërdrejt në Facebook ngjarjet në sheshin “Skënderbeu”.

Edhe këtë vit tenderin për organizimin e festës së Marrëveshjes Kornizë, të shpallur nga Ministria e Sistemit Politik e Grubit (dy kontrata në vlerë të përgjithshme prej njëqind mijë euro) e ka fituar “Arbëria Design”, kompani e njohur për marrjen e vazhdueshme të prokurimeve publike nga institucionet me të cilat menaxhojnë kuadrot e BDI-së.

Edhe vitin e kaluar, “Arbëria Design” ishte përgjegjëse për ngjarjen, ku e njëjta shumë ishte në dispozicion nga buxheti i shtetit – njëqind mijë euro.