Protestë e pensionistëve në Shkup: Rritje lineare të pensioneve, dorëheqje e kryetares së Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve

Rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, pensionet minimale të jenë 18 mijë denarë dhe dorëheqje të kryetares së Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve – Stanka Trajkova. Këto janë kërkesat kryesore të pensionistëve të cilët nga të gjithë qytetet sot protestuan para Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Pensionistët thonë se këto kërkesa vijnë pasi pensionet janë të vogla dhe se me to nuk mund të mbijetojnë, pasi janë rritur çmimet.

Pensionistët theksuan se kërkesat e tyre për rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë dhe që pensioni minimal të jetë 18 mijë denarë do t’i dorëzojnë në Qeveri.

Ata theksuan se Lidhja e Pensionistëve nuk i mbron interesat e tyre.

Ndërkaq, ata kërkuan që ministrja e Punës dhe Politikës Sociale – Jovanka Trençevska të del dhe t’i dëgjojë kërkesat e tyre.

Përndryshe, ditëve të fundit, pensionistët kanë protestuar në qytete të ndryshme për rritje të pensioneve.