Shën Tereza: Paqja fillon me një buzëqeshje

Java e Shën Terezës që përfshin datën e lindjes 26 gushtin dhe datën e vdekjes 5 shtatorin, ngelet nga ngjarjet me rëndësi në botën shqiptare. Aktivitete të shumta dhe takime shënohen në forma të ndryshme institucionale, por pak reflektojmë individualisht kush jemi ne para kësaj Nëne të Madhe që i ka shërbyer njerëzimit dhe ç’ bëjmë për ta njohur më shumë. Më shumë e përmendim me një terminologji shabllone, sesa realisht e njohim. Për Portalb.mk ju sjellim një ndodhi personale nga praktika në mësimdhënie, një ndodhi interesante me një epilog të bukur.

Gjatë përvojës në arsim disa nxënës kishin për detyrë që të përgatisnin një projekt të përbashkët për Nënë Terezën që vet të hulumtonin dhe ta plotësonin figurën e saj  dhe në orën e ardhshme të prezantonin para klasës.

Të them të drejtën nuk prisja se grupi i paracaktuar do vinin pa asnjë material, pasi kurrë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë më përpara. Pa asnjë material dhe pa asnjë arsyetim. Dyshova mos ishte në pyetje ndonjë eskivim që është i zakonshëm në fazën e tyre të para- adoleshencës.

Më shihnin si me faj  dhe të habitur nga që as u ndëshkua kush as u komentua gjë, ra një heshtje që zgjati më shumë se zakonisht. Nuk e kisha përvojën e duhur pedagogjike se çka duhej ndërmarrë në atë moment, por sot e di që instinkti më udhëhoqi për të bërë gjënë e duhur. Vazhduam sipas planit të orës mësimore. Ra zilja, dolën të gjithë nxënësit në përjashtim të njërit, më i urti i klasës dhe më trupvogli, mbante një xhup në dorë  mu afrua ngadalë dhe si me drojë më pyeti:

“Arsimtare, ju jeni katolike?”

(Ishte një pyetje krejt e papritur dhe pa të keq, siç i bëjnë gjithnjë fëmijët në moshën e tyre)

“Nganjëherë po”  iu përgjigja.

Më pa çuditshëm me një lloj konfuzioni. Nuk e di as sot se çka me saktësi kishte ndodhur, vetëm mundem të aludoj. Ata refuzuan të njihnin dikë që as ata që i kishin nxitur ta bënin këtë gjë nuk e njihnin. Nuk duhet gjykuar askush që nuk di, por as të falet ai që di.

Në orën e ardhshme në tabelë nxora disa nxënës që shënuan thëniet:

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata”

“ Nganjëherë ndjejmë se ajo që bëjmë është si një pikë uji në oqean , por ai oqean nuk është i njëjti pa atë pikë uji’’

 “Kemi harruar se i përkasim njëri- tjetrit, prandaj nuk kemi paqe.”

‘’ Paqja fillon me një buzëqeshje ‘’

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

….

Secili nga një thënie duke u bërë shumë kureshtarë se të kujt ishin këto shprehje aq të bukura. Ca i kopjonin në fletoret e tyre ato thënie që u pëlqenin më shumë. Kureshtja gjithnjë e më shumë shtohej. Dikur u thash : janë të Agnesë Gonxhe Bojaxhiut ose siç e njohim ndryshe Nënë Tereza. Një nënë trupvogël me dashuri të madhe që kishte dëshirë të njihej me ju dje, por s’është vonë as sot. ( me buzëqeshje )

Të gjithë ngelën gojëhapur dhe ra po e njëjta heshtje si një ditë më parë, vetëm se tani shihnin njëri – tjetrin për të identifikuar se kush i pari kishte dhënë idenë se nuk duhej respektuar figura e saj. Fajtori s’ndodhej aty, as në shtëpitë e tyre. Por, në propaganda dashakeqëse dhe në debatet e panevojshme që shkaktojnë përçarje, urrejtje, ekstremizma të imponuara si viruse nëpër shtëpitë tona.

Besoj se tashmë është e qartë kjo gjë .

Dita e tretë që ishte dhe më kulminantja, para klasës kishte një anë muri si tabelë e zezë që shërbente si ” wall ” i shkollës ku shënohej diçka me rëndësi nga aktivitetet, por që realisht rrallë përdorej ose nuk e mbaj mend unë nëse diçka e shënuar kishte qenë më parë aty. Por një pamje më ka ngelur në mendje që s’do ta harroj kurrë.

Se si më sëmboi diçka kur pashë një vizatim të bukur të Nënë Terezës me të dhënat më të rëndësishme nga jeta e saj.  Kishin mbushur tabelën me thënie të ndryshme, me poezi me shkumësa lloj- lloj ngjyrash.

E ndjeva dorën e kësaj zonje të madhe që krejt bota e quan Nënë. E ndjeva të pranishme, sikur më buzëqeshte ngrohtë, aty ku e kishin portretizuar nxënësit.

Buzëqesha dhe unë.