SHBA, shqetësim për mundësinë e përfshirjes së partive pro-ruse në qeverinë e Malit të Zi

Shtetet e Bashkuara thanë të premten se janë të shqetësuara për paralajmërimet se koalicioni i ri qeverisës në Mal të Zi mund të përfshijë forca politike anti-perëndimore, raporton VOA.

“Pjesëmarrja në qeveri e partive dhe udhëheqësve që refuzojnë të dënojnë agresionin rus, refuzojnë të përkrahin të drejtat e Ukrainës, refuzojnë të mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, refuzojnë të mbrojnë të drejtat e pakicave dhe refuzojnë të respektojnë pavarësinë e vendeve fqinje si Kosova, pengon përpjekjet e Malit të Zi në realizimin e aspiratave evropiane”, tha ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.

Zonja Reinke tha se qëndrimi i SHBA-së për formimin e qeverisë në Mal të Zi nuk ka ndryshuar.

“Ne mbështesim formimin e shpejtë të një qeverie që është e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, që përfaqëson një Mal të Zi shumë-kulturor, që është një aleat i besueshëm i NATO-s, që mbështet fuqishëm Ukrainën dhe vazhdon të punojë për integrimin në Bashkimin Evropian,” tha ambasadorja Reinke për mediat malazeze.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian në Mal të Zi po ashtu u bëri thirrje zyrtarëve të zgjedhur në Mal të Zi të krijojnë një qeveri pro-evropiane.

“Ne presim që Mali i Zi të vazhdojë të jetë qind për qind në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke demonstruar përkushtimin e vendit ndaj drejtimit strategjik të BE-së”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Zyrtarët ndërkombëtarë reaguan pas paralajmërimeve të së enjtes se mandatarit për formimin e qeverisë së re malazeze, Milojko Spajiç, përfshiu në bisedime për formimin e qeverisë edhe koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, që ka një orientim të theksuar pro-rus dhe pro-serb.

Në zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor në Mal të Zi, lëvizja “Evropa Tani”, e formuar një vit më parë, fitoi 24 vende në parlament, të pamjaftueshme për të qeverisur vetëm. Pas saj, u radhit koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-Presidentit Milo Gjukanoviq.

Por ndërhyrjet e autoriteteve serbe në Beograd, që insistojnë që edhe partitë pro-serbe dhe pro-ruse të përfshihet në qeverinë e re të Malit të Zi, kanë ndikuar në ngërçin politik dhe vonesat për të krijuar qeverinë katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare.