Shoqata Go Green mbledh kërkesat e të rinjve për komuna të gjelbra

Shoqata Go Green Shkup për herë të tretë shpalli thirrje për të rinjtë që të paraqesin idetë dhe nevojat e tyre që do të kontribuojnë për komuna të gjelbra. Thirrja është e dedikuar për të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç nga komunat Aerodrom, Kisella Vodë, Çair, Kumanovë, Gostivar dhe Prilep dhe mund të plotësohet në këtë link, njofton Portalb.mk.

Kryetarët e këtyre gjashtë komunave në fushatën e tyre parazgjedhore u zotuan që përmes këtij bashkëpunimi të realizojnë kërkesat e të rinjve që komunat e tyre të jenë të gjelbra.

“Së bashku me eko-aktivistët e rinj dëshirojmë të kontribuojmë në infrastrukturën rinore nëpër komuna dhe të kontribuojmë në edukimin e tyre drejt zakoneve të qëndrueshme, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në mjedis”, thotë Arta Qerimi, koordinatore e programit të Go Green.

Nga aty shtojnë se të rinjtë nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në vendimmarrje në komuna, dhe në shumicën prej tyre nuk janë formuar këshillat rinorë lokalë, kështu që përmes këtij procesi përcillet zëri dhe nevojat e të rinjve në komunat e tyre.

“Nevojat e të rinjve ndryshojnë çdo vit, andaj duhet vazhdimisht t’i pyesim dhe të diskutojmë se çfarë duan të shohin si ndryshim të gjelbër në komunën e tyre”, thonë nga Go Green,

Nga atje shtojnë se jemi gjithnjë e më shumë dëshmitarë të ndikimit të ndryshimeve klimatike, ku rritja e temperaturave, ngjarjet ekstreme të motit dhe përmbytjet nuk janë vetëm lajme shqetësuese por janë realiteti me të cilin përballemi.