Ziadin Sela: Kam krijuar parti të re politike, quhet “Lidhja Shqiptare”

Lideri politik Ziadin Sela ka deklaruar se tashmë ka krijuar një parti të re politike nën emrin “Lidhja shqiptare”, pas zhvillimeve të fundit rreth subjektit që ai drejtonte më parë. Në një prononcim për TV Lajm, Sela theksoi se nuk ka lënë asgjë rastësisë dhe se projekti i tij politik tashmë është konkretizuar, transmeton Portalb.mk.

“S’ja kam lënë rastësisë unë. Unë e kam krijuar atë parti të re politike, biles quhet akoma më mirë, është “Lidhja shqiptare”, ka ngjyra kuq e zi, ne nuk dorëzohemi. Kështu që ideja e Aleancës dhe kauza e Aleancës së vërtetë e ka edhe vazhdimësinë e vetë”, tha Sela.

Kjo lëvizje ka ardhur shumë më herët përpara se Gjykata të vendosë që partia që ai dikur drejtonte t’i takojë Arben Taravarit.

Me këtë zhvillim, Sela duket se synon të vazhdojë aktivitetin e tij politik përmes një organizimi të ri, duke ruajtur, siç thekson ai, vazhdimësinë e kauzës së mëparshme.

Sipas vendimit të marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 mars 2026, gjykata ka pranuar kërkesën e Taravarit për ndryshime në statutin e partisë. Me këtë vendim, shfuqizohet statuti i miratuar në Kongresin e jashtëzakonshëm të 24 dhjetorit 2022, ndërsa në fuqi rikthehet statuti i miratuar më 27 mars 2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16 shkurt 2024 në Shkup.

Në të njëjtën kohë, gjykata refuzoi si të pabazuara kërkesat e paraqitura nga Zijadin Sela, i cili kishte kërkuar që të regjistrohej si kryetar i ri i partisë në vend të Arben Taravarit, si dhe të miratoheshin ndryshime të reja në statut.

Fillimisht Gjykata e Tetovës vendosi që vulat e partisë t’i takojnë Ziadin Selës por krahu i Taravarit ankimoi vendimin në Apel. Shkalla e dytë e ktheu lëndën në rigjykim. Edhe vendimi i dytë i Gjykatës së Tetovës, përsëri ishte në favor të Selës. Në shkurt të vitit 2025, për herë të dytë Gjykata vendosi se kryetar legjitim i Aleancës është Ziadin Sela por edhe këtë vendim e ankimuan nga krahu i Taravarit. Apeli sërish e riktheu në rigjykim. 

Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.

Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian. 

Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian. 

Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian). 

Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.