Sela propozoi Ligj të ri për përfaqësim të drejtë, Mexhiti: Të ulesh anash e të shkruash dëshira, është lehtë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka njoftuar se partia e tij ka dorëzuar në procedurë parlamentare Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një të drejtë kushtetuese që buron nga Marrëveshja e Ohrit, transmeton Portalb.mk.
Sela deklaroi se kjo çështje ka qenë një nga kauzat kryesore të ASH-së që nga themelimi i partisë dhe se për të është bërë fushatë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është kauzë e ASH-së, kauzë kjo e sjellë që në krijimin e ASH-së, me të cilën kemi bërë edhe kampanjë në fushatën e vitit 2020, që është e drejtë e qytetarëve dhe jo e aktorëve politikë dhe e qeverive dhe si e tillë duhet të respektohet”, deklaroi Sela.
Ai shtoi se ligji i propozuar synon të përfaqësojë qytetarët dhe të realizojë të drejtat e tyre, duke kritikuar zgjidhjet që, sipas tij, kanë për qëllim ta bëjnë ligjin të pazbatueshëm.
Nga ana tjetër, kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti reagoi ndaj paralajmërimeve të Selës, duke thënë se edhe ai edhe Sela në të kaluarën kanë pasur mundësi ta zgjidhin këtë çështje, por nuk e kanë bërë.
“Tani të ulesh anash dhe me shkrujt dëshira është lehtë. Por kur je në Qeveri duhet të negociosh me partnerin qeveritar dhe të imponosh zgjidhjet. Ajo që është me rëndësi është se pas 25 viteve për herë të parë kjo çështje zgjidhet me ligj”, deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, pas miratimit të ligjit, çdo funksionar që do ta shkelë atë mund të sanksionohet. Mexhiti e cilësoi këtë proces si “fitore historike për shqiptarët në Maqedoni”, duke u bërë thirrje të gjitha partive politike që ta mbështesin ligjin.
Paralelisht me propozim-ligjin e dorëzuar nga Ziadin Sela në Kuvend, tashmë në procedurë parlamentare ndodhet edhe Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i përgatitur nga Qeveria, i cili pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve u publikua në ueb-faqen e Kuvendit dhe ndodhet në lexim të parë. Ligji qeveritar, i miratuar më 7 prill dhe i dorëzuar në Kuvend më 8 maj, parasheh mekanizma institucionalë për garantimin e përfaqësimit të drejtë, përfshirë edhe krijimin e një trupi koordinues për monitorimin e zbatimit të tij.