Mickoski dhe Plenkoviq në Ohër nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim strategjik mes RMV-së dhe Kroacisë

Në Ohër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, zhvilluan takim bilateral ku u theksua forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim strategjik mes dy qeverive. Mickoski deklaroi se marrëveshja paraqet një partneritet afatgjatë për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si energjetika, infrastruktura, teknologjia informative, siguria, mbrojtja, arsimi dhe ekonomia. Gjatë vizitës u nënshkrua edhe Memorandumi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në sektorin energjetik ndërmjet ministrive përkatëse të të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se Kroacia mbetet partner i rëndësishëm, vend mik dhe aleat në NATO, me të cilin Maqedonia e Veriut ndan interesa dhe vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe evropian.

Sipas Mickoskit, marrëveshja synon të sjellë rezultate konkrete për qytetarët përmes investimeve të reja, vendeve të punës dhe forcimit institucional, duke shtuar se bashkëpunimi nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ.

“Kjo marrëveshje është më shumë se një akt diplomatik. Kjo paraqet një kornizë për partneritet afatgjatë dhe një përcaktim të qartë politik për thellimin e marrëdhënieve tona në fusha që janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e të dy shteteve. Bashkëpunimi ynë strategjik do të bazohet në parimet e respektit të ndërsjellë, respektimit të plotë të sovranitetit, të drejtës ndërkombëtare dhe interesave të përbashkëta të qytetarëve tanë. Në kushte të sfidave të reja globale, paqëndrueshmërisë, rreziqeve të sigurisë dhe transformimeve ekonomike, sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që shtetet që ndajnë të njëjtat vlera të ndërtojnë partneritete më të forta”, tha Mickoski.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut. Mickoski vlerësoi mbështetjen kroate ndaj rrugës evropiane të vendit, duke theksuar se procesi është penguar nga bllokada joparimore, por se Shkupi mbetet i përkushtuar ndaj reformave dhe standardeve evropiane.

“Një nga temat më të rëndësishme të bisedimeve tona ishte integrimi evropian. Kroacia është një vend që me sukses e kaloi rrugën nga kandidat në anëtare e plotfuqishme e Bashkimit Evropian, edhe pse atë rrugë filluam ta ecim së bashku. Pikërisht për këtë arsye, përvoja kroate ka peshë dhe rëndësi të veçantë për ne. Për ne, integrimi evropian nuk është vetëm një qëllim i politikës së jashtme. Ai është proces i pjekurisë institucionale, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, modernizimit dhe krijimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët tanë. Prandaj e vlerësojmë mbështetjen që Kroacia vazhdimisht ia jep perspektivës sonë evropiane. Rruga jonë drejt BE-së fatkeqësisht është e mbushur me bllokada joparimore, për shkak të të cilave vihet në pikëpyetje integriteti i vetë procesit, por ne duam të besojmë në Evropën e vlerave, Evropën e parimeve, Evropën që njeh reformat, përkushtimin dhe rezultatet”, tha Mickoski.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, nga ana tjetër, priti në Ohër delegacionin e lartë qeveritar nga Republika e Kroacisë, të kryesuar nga kryeministri Andrej Plenkoviq.

Siç informoi Ministri, gjatë takimeve zyrtare u diskutuan disa tema kyçe me natyrë dypalëshe dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë në projektet e përbashkëta të ardhshme.

Mucunski ndau pikat kryesore të bisedimeve në Ohër nëpërmjet rrjeteve sociale:

“Fokusi i bisedimeve është thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, bashkëpunimi rajonal dhe stabiliteti, perspektiva evropiane e vendit dhe mbështetja e Kroacisë për procesin e integrimit evropian, partneriteti brenda NATO-s, si dhe sfidat aktuale të sigurisë në Evropë dhe botë. Në këtë drejtim, nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve është veçanërisht i rëndësishëm”.

Ministri i Jashtëm theksoi se kjo vizitë është një tregues i qartë i nivelit të lartë të marrëdhënieve midis Shkupit dhe Zagrebit.

“Vizita është një tjetër konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe miqësore dhe vendosmërisë së përbashkët për të promovuar më tej partneritetin midis dy vendeve”, theksoi Mucunski.

Nga ana tjetër, dy kryeministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin energjetik dhe sfidat e sigurisë në rajon dhe Evropë, përfshirë kërcënimet kibernetike, migrimin dhe rreziqet hibride.

Në përmbyllje, Mickoski falënderoi Plenkoviqin për mbështetjen dhe partneritetin, duke shprehur bindjen se marrëveshjet e sotme do të hapin një etapë të re bashkëpunimi konkret mes dy shteteve.