FNA: U konfirmuan denoncimet tona për Arbresha Bexheti Feratin, Universiteti i Tetovës u gjobit me 2.500 euro, rektori me 750

Inspektorati i Arsimit ka konfirmuar denoncimin e bërë nga FNA lidhur me rastin e avancimit të Arbresha Bexheti Feratit në Universitetin e Tetovës, ndërsa institucioni është gjobitur me 2.500 euro dhe rektori me 750 euro, transmeton Portalb.mk.

Sipas reagimit të publikuar sot nga FNA, Inspektorati ka konstatuar se Universiteti i Tetovës nuk ka vepruar sipas udhëzimeve zyrtare as tetë ditë pas evidentimit të shkeljeve. Konkretisht, universiteti nuk e ka shpallur të pavlefshëm konkursin dhe nuk e ka përsëritur procedurën nga fillimi, ashtu siç ishte kërkuar.

Në fokus të procedurës janë edhe anëtarët e Komisionit Recenzues, Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zhaklina Cakovska. Sipas FNA-së, ndaj tyre tashmë do të merret gjykata kompetente, pasi Inspektorati i Arsimit ka dorëzuar parashtresë për rastin.

FNA pretendon se anëtarët e komisionit nuk janë paraqitur më 22 maj para komisionit të formuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku pritej të nënshkruheshin gjobat prej nga 1.000 euro për secilin.

“Kriminelët akademikë me banditët e zakonshëm kanë një të përbashkët; asnjëri s’e pranon që ka kryer krimin”, thuhet në reagimin e FNA-së.

Ndërkohë, Kenan Ferati vazhdon të mbajë postin e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, megjithëse rasti ende nuk ka marrë epilog. FNA shton se Inspektorati i Arsimit ka dorëzuar parashtresë edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për dyshime mbi konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Me anëtarët e komisionit recenzues Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zhaklina Cakovska do të merret gjykata kompetente, pasi Inspektorati Arsimit ka dërguar parashtresë. Kriminelët akademikë me banditët e zakonshëm kanë një të përbashkët; asnjëri s’e pranon që ka kryer krimin. Inspektorati i Arsimit ka konstatuar që edhe 8 ditë pas konstatimit të shkeljeve, UT-ja nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të tyre, përkatësisht nuk e ka shpallur të pavlefshëm konkursin dhe nuk e ka përsëritur procedurën nga fillimi. Kryeneç për veprimet e tyre për të cilat FNA-ja njoftoi gjithë opinionin si dhe jobashkëpunues janë treguar edhe anëtarët e Komisionit Recenzues Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zaklina Cakovska. Asnjë prej tyre nuk është paraqitur më 22 maj, në komisionin e formuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ku supozohej të nënshkruanin gjobat prej nga 1 mijë euro secili”, thonë nga FNA.

Rasti pritet të trajtohet edhe nga Gjykata Administrative, e cila do të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit të Senatit të nënshkruar nga ish-kryetari i Senatit, Kushtrim Ahmeti, aktualisht kandidat për rektor. Sipas pretendimeve, Senati i kishte njohur Arbresha Bexheti Feratit thirrjen akademike të fituar në një universitet në Beograd pa u verifikuar nëse ajo i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore.

FNA njofton se Inspektorati i Arsimit tashmë ka dorëzuar edhe propozim-padi lidhur me këtë çështje.

Në fund të reagimit, FNA kërkon sërish veting në arsimin e lartë, duke vlerësuar punën e Inspektoratit të Arsimit si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e institucioneve nga, siç thuhet, “hajnat dhe kriminelët akademikë”.

“Kenan Ferati vijon të mbajë postin e kreut të Senatit, përkundër që ky rast akoma s’ka marrë epilog ndërsa emri i tij është i përfshirë në dosje. Burimet e FNA-së mësojnë që Inspektorati i Arsimit ka dërguar parashtresë në Komisionin për Antikorrupsion për potencialisht konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gjykata Administrative do të merret me (jo)ligjshmërinë e vendimit të Senatit të nënshkruar nga kreu i atëhershëm i senatit, Kushtrim Ahmeti, kandidat aktual për rektor, që t’i njohë Arbresha Bexheti Feratit thirrjen e marrë në një universitet në Beograd, Serbi, pa verifikuar nëse kandidatja i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore. Mësojmë që Inspektorati i Arsimit veçse ka dërguar propozimpadi për këtë. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, ndërsa ndjekim me vëmendje epilogun e këtij rasti, përsërisim kërkesën e kahershme për veting në arsimin e lartë. Përgëzojmë Inspektoratin e Arsimit për punën profesionale, kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar institucionet nga hajnat dhe kriminelët akademikë të cilët vendit përditë i dhurojnë analfabetë funksionalë ndërsa llogarive të tyre bankare, shuma të majme parash”, thonë nga FNA.

Rasti lidhet me denoncimet e mëhershme të publikuara nga FNA për avancimin akademik të Arbresha Bexheti Feratit në Universitetin e Tetovës dhe pretendimet për shkelje të shumta procedurale gjatë procesit.