Seksizmi i fshehur

Këto ditë në opinionin publik po zhvillohet debat i zjarrtë lidhur me propozim Ligjin për barazi gjinore. Ministria për punë dhe politikë sociale është propozues i dy ligjeve që duhej të hynë në procedurë kuvendore, propozim Ligji për barazi gjinore dhe propozim Ligji për evidencën amë, nga të cilat vetëm i pari do të hyjë në procedurë, ndërsa për të dytin do të vazhdojnë edhe më tej diskutimet publike dhe i njëjti është tërhequr tani për tani nga procedura. Edhe pse nga Ministria e dhanë pikërisht këtë sqarim se bëhet fjalë për dy ligje të ndryshme, kjo nuk e pengoi Kishën ortodokse – Arqipeshkvinë e Ohri të organizojë protesta në këtë temë. Pra do të protestojnë kundër Ligjit për barazi gjinore që është duke hyrë në procedurë kuvendore. Në emër të urrejtjes kundër komunitetit LGBTI, sërish, për kushedi të satën herë, pasojat më të mëdha i vuajnë gratë.

Tema lidhur me identitetin gjinor është temë që ngjall gjithmonë debate të ashpra mes grupeve të ndryshme në shoqëri. Ka shoqëri konzervative ku këto tema mbesin tabu për një kohë të gjatë dhe në ato shoqëri, fatkeqësisht, grupe të tëra njerëzish mbeten të pambrojtur dhe të rrezikuar nga urrejtja e të tjerëve. Këta persona të margjinalizuar, të anatemuar dhe të stigmatizuar, kanë një jetë të vështirë dhe përballen me shumë sfida që moralizuesit konzervativë asnjëherë nuk denjojnë t’i kuptojnë, dhe në fund mund të pësojnë keq nga të tjerët, mund të vetëvriten, ose në rastin më të mirë, mund të arratisen në ndonjërin nga vendet perëndimore ku duam të arratisemi të gjithë, e ku edhe këta, “të anatemuarit” e gjejnë vetveten dhe lirinë e tyre. Të gjithë atyre që frikësohen nga “të çuditshmit” brenda shoqërisë sonë, e që nuk ndalojnë për asnjë moment të mendojnë se me çfarë përballen ata në jetën e tyre të përditshme, ua sugjeroj ta lexojnë me shumë vëmendje librin e autores Elif Shafak, “Dhjetë minuta dhe 38 sekonda në këtë botë të çuditshme”. Ndoshta pasi ta lexojnë atë libër mund të kenë pak më shumë empati ndaj atyre që askujt nuk i dhimben, ndaj atyre që në vende si ai i librit të Shafakut nuk denjojnë as tu vendosin emër në gurin e varrit.

Por posaçërisht dëshpërues është fakti që viktimë e këtyre debateve mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor janë gjithmonë gratë. Sepse në emër të mbrojtjes nga “degjenerimi”, në emër të mbrojtjes së “pastërtisë” së shoqërisë sonë puritaniste nga elemente perëndimore, në emër të mbrojtjes së vlerave familjare, dëmtohen në mënyrë thelbësore gratë. Kështu është tani në vendin tonë kur në emër të Ligjit për evidencën amë ku propozohen ndryshime në mënyrën e përcaktimit të identitetit gjinor, e i cili ligj nuk është në procedurë kuvendore, anatemohet Ligji për barazi gjinore që ka për qëllim vendosjen e më tepër mundësive për gratë dhe trajtimin e barabartë të grave në shoqëri. Në mënyrë identike, para një kohe Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit me të njëjtin arsyetim që mund të parafrazohet kështu: “Ne nuk jemi kundër emancipimit të grave dhe barazisë gjinore, por jemi kundër degjenerimit të vlerave familjare”. Kur një shtet tërhiqet nga konventa që e mban emrin e kryeqytetit të tij, dhe e largon mbrojtjen nga gratë që e siguron kjo konventë, dhe vazhdon t’i ekspozojë gratë ndaj dhunës që është në qendër të vëmendjes së asaj konvente, dhe gjithë këtë e bën në emër të mbrojtjes nga “të degjeneruarit”, atëherë aty në fakt bëhet fjalë vetëm për një pretekst që ka për qëllim të ruajë një status quo në shoqëri, ku gratë të vazhdojnë të jenë të pabarabarta, të fyera, të poshtëruara dhe të pasigurta. Në të njëjtën mënyrë e kuptoj edhe protestën që sot mbahet kundër Ligjit për barazi gjinore në shtetin tonë.

Jam lodhur duke dëgjuar pretekste nga më të ndryshmet e të cilat bazën e kanë në një seksizëm të fshehtë dhe në mendime arkaike patriarkale sipas të cilave mirëqenia e vetme e gruas sigurohet me shërbimin e pakusht dhe të përhershëm ndaj burrit pa të cilin ekzistenca e saj nuk ka asnjëfarë rëndësie! Mendoj se të gjithë duhet një herë e mirë të shprehin mendimin e tyre qartazi: a janë apo nuk janë për një shoqëri me mundësi të barabarta për gratë dhe burrat?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.