Vitin e kaluar rreth 5 mijë fëmijë ishin në listat e pritjes për në kopshtet e Maqedonisë së Veriut, Limani paralajmëroi vauçerë për kopshte private

Në vitin 2025 kishte pothuajse 5,000 fëmijë në listat e pritjes për kopshte. Më shumë se 79,000 fëmijë të moshës 0 deri në 6 vjeç nuk janë të regjistruar në asnjë formë kopshti, dhe për të arritur objektivin kombëtar prej 65 përqind të fëmijëve të regjistruar në kopsht deri në vitin 2032, nevojiten rreth 19,000 vende shtesë, sipas një analize të UNICEF-it, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Në konferencën “Fillim i Hershëm, Përfitime të Qëndrueshme – Kopsht për Çdo Fëmijë!”, u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga analiza e modeleve inovative të financimit të arsimit dhe kujdesit parashkollor, dhe folën Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, Zëvendësministri Gjoko Velkovski, si dhe Përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Leslie Miller.

Sipas UNICEF-it, Maqedonia e Veriut mund të përshpejtojë zgjerimin e qasjes në kopshte nëse kombinon investimet publike me mbështetjen për kopshtet private dhe punëdhënësit, duke siguruar kështu shërbime financiarisht të përballueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Në Maqedoninë e Veriut pritet ndërtimi edhe i 11 çerdheve në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinjë dhe komunave përfituese.

Ministria kishte nënshkruar kontrata për në komunat Probishtip, Bosilovë (për vendbanimet Ilovicë dhe Radovë), Shtip, Butel, Rosoman, Çeshinovë-Obleshevë, Zelenikovë, Gostivar, Veles dhe Bogovinë.