Salihu: Elitat politike që luajnë me kartat e nacionalizmit, nuk e duan afrimin e RMV-së me BE-në, sepse kanë agjenda të tjera

Kur politika nuk ka çfarë t’u ofrojë njerëzve, kur liderëve politikë u mungojnë idetë dhe vizioni, atëherë notojnë në ujërat e populizmit dhe luajnë me ndjenjat etnike. Elitat politike, që luajnë me kartat e nacionalizmit, nuk e duan afrimin e vendit me BE-në, sepse kanë agjenda të tjera. Këtë mes tjerash e thotë në një intervistë për Portalb.mk profesori universitar, Salajdin Salihu.

Me profesorin Salihu flasim edhe për gjendjen e mediave në vend, cilësinë e arsimit, ikjen e të rinjve, relacionet ndëretnike dhe reformat.

Intervistoi: Suad Bajrami

Portalb: Si e shihni zhvillimin e mediave në vend, në kushte kur interesi financiar mbisundon interesin publik?

Salajdin Salihu: Pasi kam punuar shumë vite si gazetar në media kombëtare e ndërkombëtare dhe si pjesëtar i brezit të gazetarëve që u munduan për gazetari të lirë, aq sa mundën e aq sa ditën, mund të them, me dëshirën që të gaboj, se gjendja e sotme e mediave nuk përkon me ëndrrat dhe vizionet e mia të dikurshme.

Thuhet se gazetaria e lirë duhet të bazohet te kryefjala se njeriu është qenie që di të mendojë dhe jo qenie që duhet të udhëhiqet. Fatkeqësisht, në mbarë rajonin, shumica e medieve, të  shtyrë nga interesa të ndryshme, duan “ta udhëheqin” njeriun drejt agjendave të caktuara politike dhe ideologjike. Ndodh që nuk respektohet etika e gazetarisë dhe të dëgjohet vetëm njëra palë edhe pse gazetaria e lirë i dëgjon të gjitha palët.

Kultura e komunikimit në media është temë e posaçme. Ka zënka në studio si në kafene. Debatohet për tema koti. Të gjithë të pranishmit flasin përnjëherësh dhe askush askënd nuk e dëgjon. Kulturë debati pati edhe në odat shqiptare. Kur njëri fliste, të tjerët e dëgjonin. Për kulturën e debatit shkroi edhe Homeri. Atridi tek Iliada tha: “Është punë e bukur t’i mbash vesh ligjëruesit, / dhe hije s’ka në gojë t’ia presësh fjalën, / pse fillin humb edhe gojëtari i njohur. / Kush dëgjon dot mes zhurmës e rrëmujës? / Këto e mbytin zërin sado të fuqishëm.”

Mihat Frashëri, i cili shkrimtarët dhe gazetarët i shihte nga prizmi i një romantiku, mendonte se shtypi nuk duhej të ishte pasqyrë e kafeneve dhe vendi i fjalimeve të zbrazëta, por të drejtohej nga njerëz të zotë dhe profesionistë.

Prirja për klikime ose për përfitime materiale i ka bërë shumë media shërbëtore të autoriteteve ose të turmës. Në kësi rrethanash, shumë njerëz, që nuk mund ta durojnë tiraninë e turmës, druajnë të shkruajnë dhe të japin opinione, sepse nuk duan të bëhen tabelë qitjeje dhe të gjuhen me fyerje e sharje të pashembullta nga turma.

Branko Merxhani, i cili në vitet 30 të shekullit të kaluar e botoi revistën “Përpjekja shqiptare”, ndër më të mirat në historinë e shtypit shqiptar, i ndau revistat në dy lloje: “revista që shkojnë“ dhe “revista që na duhen“. Revistat e para botojnë gjithçka, kurse revistat e dyta mbrojnë një ide. Mjerisht, sot mbizotërojnë mediet që merren me “buçimën e ditës” dhe e kënaqin turmën, njëkohësisht kemi pak media “që na duhen“.

Fatmirësisht, kemi gazetarë dhe media profesioniste që shkruajnë për gjendjen reale në shoqëri dhe për kahet nga duhet të lëvizim. Mediat e këtilla e paraqesin realitetin siç është dhe nuk e konstruktojnë atë.

Portalb: Në çfarë niveli e kemi cilësinë e arsimit në vend, a investon shteti mjaftueshëm për të nxjerrë kuadro cilësorë?

Salajdin Salihu: Fernand Braudel-it, në librin Gramatikë e qytetërimeve, ku merret edhe me arsimin në kohën e përbotësimit, veçanërisht me arsimin në shtetet post-komuniste, shkroi se sistemet arsimore sot prodhojnë “intelektualë në seri” dhe “gjysmë-kulturë të shumicës”; se më arsimi nuk e ka si mision formimin e lartë intelektual të të rinjve, por mëton specializimin, kurse në rrafshin e kulturës së përgjithshme shkon drejt rënies së nivelit… Për të pasur sistem arsimor cilësor, në të gjitha shkallët, duhet politikë arsimore vizionare. Të punohet me strategji afatgjate. Të përcaktohen qëllimet dhe të bëhet çmos që të realizohen. Duhet të ketë më shumë investime në arsim dhe në infrastrukturën arsimore. Të studiohen mirë modelet e ndryshme arsimore dhe t’u përshtaten specifikave vendore. Të mos ndodh që në emër të modernizmit dhe të reformave, shkollat të largohen nga misioni themelor. Shkolla duhet ta formojë qytetarin e përgjegjshëm, të kualifikuar dhe të angazhuar për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë…

Më duhet të shtoj se, pavarësisht çfarë thuhet, në mesin tonë kemi mësimdhënës e nxënës apo studentë të mirë, që meritojnë respekt dhe vlerësim.

Portalb: A kanë arsye të rinjtë të qëndrojnë në këtë vend, që shihet si i zhytur në korrupsion dhe pabarazi?

Salajdin Salihu: E kam të vështirë t’i përgjigjem pyetjes duke u nisur nga pozita e njeriut që ka një rrogë mujore. Nuk kam të drejtë morale t’i them dikujt që përballet me probleme ekzistenciale: “Rri këtu dhe vuaj!”. Kam qenë në gjendjen e tyre. E di si është të jesh i papunë ose të punosh me orë të tëra dhe të paguhesh keq, por nuk jam dorëzuar, kam ngulmuar, kam mbijetuar. Mos harrojmë se atëherë mundësitë ishin më të vogla…

Që të jem në paqe me ndërgjegjen time, unë kurrë nuk do t’u them të rinjve: “Ikni nga ky vend, se këtu nuk ka asgjë, se ky vend nuk bëhet, se këtu gjithçka ka shkuar në theqafje!”, sepse më del përpara fytyra e mendjendriturit Mehmet Gega, i cili shkonte derë më derë dhe i luste njerëzit të mos shpërnguleshin. Më dalin përpara fytyrat e mësuesve të mi që vuajtën burgjeve vetëm pse u bënë thirrje njerëzve të mos iknin nga vendi…

Por unë i mirëkuptoj ata që largohen, sepse nuk e bëjnë nga qejfi. Njerëzit kanë të drejtë që të jenë në kërkim të një jete më të mirë, më të sigurt, më të qetë, pa ankthe ekzistenciale, sigurie dhe perspektive.

Shkaqet e eksodit, sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, janë: kriza ekonomike, korrupsioni, paqëndrueshmëria politike, standardi i ulët jetësor, problemet në sfera të ndryshme shoqërore dhe shqetësimi për të ardhmen e fëmijëve…

Ky eksod shqetësues nuk ndalet me parulla patriotike dhe patetike. Njerëzit më nuk besojnë në parulla. Ata që janë larguar nga vendi janë punëtorë të ndershëm, që duan t’u shpaguhet mundi. Nëse do të kishin kushte të përafërta këtu, me siguri nuk do të ishin larguar.

Portalb: Si i shihni relacionet etnike në vend, a janë ende mashë në duart e partive, të cilat çdoherë që ka zgjedhje i (keq)përdorin?

Salajdin Salihu: Kur politika nuk ka çfarë t’u ofrojë njerëzve, kur liderëve politikë u mungojnë idetë dhe vizioni, atëherë notojnë në ujërat e populizmit dhe luajnë me ndjenjat etnike. Sërish në skenë janë ngjitur nxitësit e tensioneve ndëretnike, sepse janë “të leverdishme” në kohë zgjedhjesh dhe në një vend që ende është i ndarë në baza etnike. Sërish kontaminohet hapësira publike me parulla nacionaliste dhe flitet për “patriotë”, “tradhtarë” dhe “çaste historike”. Ky diskurs nuk është në sinkron me vlerat europiane. Elitat politike, që luajnë me kartat e nacionalizmit, nuk e duan afrimin e vendit me BE-në, sepse kanë agjenda të tjera. Në një shoqëri me shumë etni, kultura, gjuhë, religjione janë të rrezikshme diskurset nacionaliste.

Portalb: Sa jeni i kënaqur me procesin reformues në shtet dhe politikën eurointegruese?

Salajdin Salihu: Më ikën vitet më të mira të jetës duke i dëgjuar fjalët “reformë” dhe “eurointegrime”. Përgjatë dhjetëvjeçarëve ka pasur elita politike që nuk bënin asgjë dhe elita politike që përgatiteshin të mos bënin asgjë. Sot, edhe për shkak të rrethanave globale, është rasti i mirë për afrimin e vendit me BE-në, por duhet përkushtim serioz. Vendet e Europës Juglindore nuk kanë alternativë tjetër përveç integrimit europian. Çdo pengesë do të shoqërohet me pasiguri dhe dhimbje. Efektet e vonesave jemi duke i parë secilën ditë. Për sa kohë Maqedonia e Veriut mbetet larg dyerve të BE-së, nuk mund të shpresohet për përmirësim të jetesës së qytetarëve dhe do të vazhdojë shpopullimi i frikshëm, i cili do të ketë pasoja afatgjata.

E kam thënë edhe në një shkrim të botuar në Portalb-in, se Maqedonisë së Veriut nuk i kanë munguar politikanët që, për qëllime të ndryshme, janë në gjendje ta shuajnë ëndrrën që ky shtet, historikisht problematik, të jetë pjesë e BE-së dhe nuk janë të rastësishme prognozat pesimiste të politikanëve pensionistë për të ardhmen europiane, sepse përherë kanë punuar në kundërshtim me vlerat europiane.