Sa e përfaqësuar është opozita në komisionin e reformës zgjedhore?

Mbledhja e Komisionit për reformën zgjedhore këtë të premte dështoi pa nisur, pasi grupimi i Partisë Demokratike (PD) që mbështet Gazment Bardhin vendosi bllokimin e tij. Këta të fundit refuzojnë që bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore të jetë Enkelejd Alibeaj i grupit të Lulzim Bashës, nisur nga ndikimi që vota e tij ka në këtë komision, shkruan Faktoje.al.

Vetë Alibeaj tha se të gjitha ‘flukset e opozitës’ janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë e të ndershme në komision. Faktoje verifikoi këtë deklaratë bazuar në raportin e ulëseve në parlament sipas çdo grupimi brenda PD-së. Ndërsa ekspertët paralajmërojnë thellimin e krizës politike dhe mungesën e reformës zgjedhore gjithpërfshirëse me antarësinë aktuale.

Më pak se 30 minuta përpara orarit kur pritej nisja e mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Partisë Demokratike zyrtare, doli në një konferencë për media ku foli për propozimet që grupimi i tij ka bërë në komision. Gjatë fjalimit, Alibeaj e quajti komisionin e reformës zgjedhore gjithpërfshirës dhe përfaqësues.

“Duke qënë se në komisionin e reformës zgjedhore janë të përfaqësuar, siç besoj juve e dini, të gjitha partitë opozitare, por edhe të gjitha flukset brenda opozitës – raportet janë besoj unë në mënyrën më të ndershme të mundshme – besoj se ëshë detyrimi i të gjithëve ne, anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, që të shkojmë në këtë komision të marrim pjesë dhe të mbrojmë interesin e opozitës, shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha Enkelejd Alibeaj, 19 Janar 2023.

Sa e vërtetë është kjo deklaratë në syrin e ekspertëve?

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume thekson se edhe pse formalisht nisja e punimeve në komision me përbërjen aktuale nuk bie ndesh me ndonjë përcaktim ligjor, ai bie ndesh me vetë objektivin kryesor të tij, që është realizimi i një produkti të pranueshëm nga palët.

“Ndërkohë pala e opozitës, kështu si pritej të ishte prezente në mbledhje, nuk do të jetë e përfaqësuar e tërë dhe, për pasojë nuk është e mundur që produktet e këtij komisioni edhe nëse arrihet të formulohen, të jenë të gjithëpranuara”, tha Kristaq Kume për Faktoje.

Mbledhja e thirrur në Kryesinë e Kuvendit në 19 janar, sipas studiuesit Afrim Krasniqi qëllimin e ka tek nevoja për t’u faktorizuar në kontesktin ekzistues të krizës politike.

“Komisoni kishte detyrimin të mblidhej sipas vendimit të parlamentit përpara datës 14 janar kur skandonte afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për votën e diasporës, por nuk është mbledhur për këtë gjë. Kjo do të thotë se nuk ka qenë nevoja për reformë ajo që e ka shtyrë të mblidhet komisionin, por nevoja për të ripozicionuar veten e tyre në kontekstin politik”, tha Afrim Krasniqi për Faktoje.

Si e tillë, vijon Krasniqi, mbledhja nuk pritet të sjellë gjë, nuk pritet të sjellë reformë dhe nuk pritet t’i afrojë më shumë palët.

“Përkundrazi e thellon krizën politike dhe gati e pamundëson zhvillimin normal të një reforme zgjedhore”, vlerëson Krasniqi.

E në fakt kështu ndodhi.

Mbledhja e komisonit të reformës e planifikuar të premten e 19 janarit nuk u zhvillua për shkak të refuzimit që deputetët e opozitës të përfaqësuar nga Gazment Bardhi dhe Sali Berisha i bëjnë përfaqësimit nga bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj, nga grupimi i Lulzim Bashës në parlament.

Fakt është se nga deputetët e dalë nga lista e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2021-shit, pjesa dërrmuese e deputetëve i takojnë grupimit të z.Bardhi i cili vijon të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Parlament.

“Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore në thelb të punës së tij ka hartimin e draft ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës. Aktiviteti i këtij komisioni vetëm me pjesëmarrjen e mazhorancës dhe deputetëve të PD që drejtohet nga z.Basha nuk arrin të materializojë këtë kërkesë thelbësore, e cila në fakt ka qenë edhe argumenti kryesor mbi të cilin u mbështet vendimi, në 2002, për zhvillimin e reformës zgjedhore duke aktivizuar një komision të posaçëm bipartizan”, vlerëson Kristaq Kume.

Afrim Krasniqi sheh dy zgjidhje të kësaj situate.

“Ose parlamenti të riformatojë komisionin sipas raporteve të reja parlamentare, ose do duhet që parlamenti të lejojë zhvillimin e një dialogu tjetër institucional midis palëve politike reale në parlament, ku nuk përjashtohet asnjëra nga palët në mënyrë që të shkojnë në një zgjidhje përmes bisedimeve politike dhe më pas komisioni përmes ekspertizave t’i shprehi vendimmarrjet politike në akte juridike siç ndodhi në Këshillin Politik në vitin 2020. Mosrregullimi i kësaj situate tregon mungesën e vullnetit të parlamentit për të pasur një reformë zgjedhore”, vijon Krasniqi.

Prapavijë

Edhe pse parlamentit i mungon informacioni zyrtar mbi ndarjen reale të grupeve parlamentare, krah Lulzim Bashës përllogariten rreth 12 deputetë të opozitës, ndërsa në grupimin Bardhi – Berisha llogariten rreth 45 deputetë. Por sot, grupimi ‘Basha” përfaqësohet në komision nga bashkëkryetari Alibeaj dhe anëtari Kreshnik Çollaku. Në anën tjetër, grupi i deputetëve që mbështet Bardhin dhe Berishën momentalisht janë të përfaqësuar nga katër anëtarë.

Deputetët e grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi në shtator 2023 propozuan ndryshimin e përbërjes aktuale të këtij komisioni. Ky propozim kërkonte zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar nga opozita, zëvendësimin e Kreshnik Çollakut me Tomorr Alizotin dhe përfshirjen e deputetes Dhurata Çupi si anëtare.

Si rregull, Komisioni i Posaçëm i reformës Zgjedhore ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij ka 18 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim dhe 1  deputet i pavarur. Sipas rregullores së komisionit, dy bashkëkryetarët kanë të drejtën e veto-s në votim, gjë që e bën rolin e bashkëkryetarit shumë të rëndësishëm në përfaqësim.

Nisur nga kjo situatë e krijuar për shkak të fraksioneve të opozitës parlamentare, të cilat në fakt nuk janë të zyrtarizuara përmes ndarjes në grupe parlamentare konkrete; duke marrë parasysh rolin kyç që ka bashkëkryetari i reformës zgjedhore për shkak të veto-s në votim, si dhe bazuar mbi vlerësimin e ekspertëve se ndonëse nuk ka shkelje ligjore, parimisht nuk ka përfaqësim të barabartë, deklaratën e Enkelejd Alibeajt se ka “përfaqësim të të gjitha flukseve të opozitës në komisonin e reformës zgjedhore” e konsiderojmë si të pavërtetë.