Opozita bllokoi Komisionin e Reformës Zgjedhore në Shqipëri

30 minuta përpara orarit, pjesa më e madhe e deputetëve të grupimit të Bardhit “zaptuan” sallën ku do të riktheheshin pas 2 vitesh mungesë anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore për të zhvilluar mbledhjen, ku do të miratohej ky kalendar pune, raporton Klan.

Me strategjinë e qartë dhe të përsëritur për të bllokuar zhvillimin e mbledhjes, ata zunë vendin e dy bashkëkryetarëve dhe anëtarëve të shumicës.

Këta të fundit, të drejtuar nga kryetari i tyre, Damian Gjiknuri aspak të surpizuar, tentuan vetëm për pak minuta të bindin kolegët opozitarë të uleshin për të nisur punën për reformën shumë të kërkuar nga të gjithë aktorët politikë dhe ndërkombëtarë. Ndërsa bashkëkryetari tjetër, Enkeled Alibeaj nuk e mori mundimin të ishte prezent.

I pari që u “dorëzua” dhe la sallën ku zhvillimi i mbledhjes, dukej i pamundur, ishte Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.

“T’i mbajnë karriget”, deklaroi Klosi.

Më pas, të gjithë socialistët dolën dhe Damian Gjiknuri akuzoi të dy palët e opozitës që se duan reformën, por la të kuptohet, ashtu si kryeministri se Komisioni Bipartizan nuk është i vetmi instrument për të bërë amendimet në kod.

“Reforma do të ecë përpara dhe në fund, nëse opozita nuk do të bëhet pjesë, do të gjendet një mënyrë për të shkuar përpara”, u shpreh Damian Gjiknuri.

Deklaratën e Gjiknurit e përforcoi ministrja e Shtetit, Spiropali në rrjetet sociale, ndërsa së bashku me Bledi Çuçin, kryetarin e grupit parlamentar, akuzuan se opozita po bllokon reformën.

Elisa Spiropali: Ka dy rrugë: Ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” – e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore – ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit me brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve.

Blendi Çuçi: Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë përveçse zhyten më keq në krizën ku kanë rënë prej vulës së humbur dhe sikletit me drejtësinë e re, nuk e pengojnë dot as Reformën Zgjedhore dhe as jetën parlamentare.

Demokratët që e bllokuan fizikisht mbledhjen, akuzuan socialistët dhe grupimin e Bashës, pasi sipas tyre, shumica nuk po lejon që opozita të ketë antarët që kanë besimin e saj në komision.

Gazment Bardhi: Është mazhoranca që nuk ka pranuar pjesëmarrrjen e opozitës.

Oerd Bylykbashi i kërkoi parlamentit të rishikojë përbërjen e Komisionit të Posaçëm.

Oerd Bylykbashi: 50 deputetë të opozitës kanë kërkuar zyrtarisht që të rishikohet anëtarësia e komisionit, tradita më shumë se 20-vjeçare e parlamentit të Shqipërisë. Ka përcaktuar një mekanizëm të suksesshëm, i cili ka garantuar Reformë Zgjedhore konsensuale, që është Komisioni i Bipartizan.

Grupi i deputetëve të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, e akuzuan Kryeministrin Rama për bashkëpunim me Lulzim Bashën dhe bashkëpunim të qëllimshëm të Reformës për të shkuar drejt një plani shit-blerje votash.

Për grupimin e Bashës, Rama po bashkëpunon me Sali Berishën.

Enkelejd Alibeaj: PS dhe segmente të opozitës janë të interesuar ta mbajën peng këtë proces.

Derisa të gjitha palët vijojnë të drejtojnë gishtin e akuzës nga njëra-tjetra, fati i Reformës Zgjedhore mbetet në pikëpyetje, edhe pse ndërkombëtarët insistojnë në kryerjen e saj në bashkëpunim me të gjithë aktorët.