Punimet në rrugën “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë nxitën reagime nga qytetarët për bllokim të lëvizjes së lirë, Komuna: Punimet mbarojnë së shpejti

Punimet në rrugën “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë e cila lidh tre bulevardet “Ilinden”, “Bllagoja Toskë” dhe “V.S. Bato” filluan gjatë verës, ndërkaq nuk kanë përfunduar ende. Qytetarët ankohen se është e kufizuar lëvizja e lirë tani më për një kohë të gjatë. Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thonë se nuk ka vonesë në përfundimin e punimeve, sipas tyre punimet  për kanalizimin atmosferik janë planifikuar deri në fund të shtatorit, i cili mbaron nesër. Ndërkaq më pas do vijohet me asfaltimin, shkruan Portalb.mk.

Si rezultat i punimeve për kanalizimin atmosferik në këtë rrugë, lëvizja përgjatë saj është e kufizuar me raste dhe ka shkaktuar revoltë te qytetarët.

“Na pengon pasi u bë një kohë që lëvizja është e kufizuar, është mire që punojnë dhe të ketë përmirësime por duhet që mos të zgjasin kaq shumë punimet pasi shkakton nervozë te banorët”, tha një qytetar.

“Të them të drejtën nuk më bie të kaloj në këtë rrugë por kaloj vetëm pjesën e cila kalon përmes “Bllagoja Toskës” që del te rruga që të lidh me bulevardin “Ilinen” aty te Mema, është një prerje e asfaltit e cila më irriton çdo herë që e kaloj duhet të ndal shpejtësinë mos ta dëmtoj veturën”, tha një qytetar tjetër.

Rikonstruimi i rrugës "Vëllezërit Milladinov" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rikonstruimi i rrugës “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me punimet në këtë rrugë ka reaguar edhe këshilltari komunal nga BDI, Liridon Disha.

“U bënë 3 muaj që kur Rruga “Braqa Milladinovi” është e bllokuar me punime prej te Xhamia e Pashës deri te shkolla Tekstile. Paaftësia e Komunës e ka rënduar lëvizjen e lirë të automjeteve duke shkaktuar kaos të pa parë të komunikacionit”, tha Disha.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës për Portalb.mk njofton se punimet janë në proces të ndërtimit të kanalizimit atmosferik dhe se afati i përfundimit të këtyre punimeve është planifikuar deri në fund të muajit shtator.

Nga Komuna theksojnë se nuk ka zvarritje të punimeve, pasi gjatë realizimit të punëve janë detektuar edhe disa defekte që janë pjesë e infrastrukturës nëntokësore, ku ata kanë pasur shumë pak informacione për ekzistimin e tyre.

“Pas përfundimit të punimeve të kanalizimit atmosferik, do të nisë faza e ndërtimit të rrugës në tërësi. Kjo përfshin asfaltimin e rrugës dhe vendosjen e ndriçimit publik. Pritet që kjo fazë të fillojë menjëherë pas përfundimit të punimeve të kanalizimit atmosferik nga kontraktuesi paraprak”, thanë nga Komuna e Tetovës, të cilët megjithatë nuk treguan se kur konkretisht do përfundojë i gjithë ky proces.

Rikonstruimi i rrugës "Vëllezërit Milladinov" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rikonstruimi i rrugës “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, në fund të vitit 2021 në rrugën “Vëllezërit Milladinov” u mbuluan gropat me asfalt si zgjidhje afatshkurtër aso kohe. Ndërkaq asfaltimi i rrugës pritet të bëhet së shpejti, për të cilin po vijojnë punimet.