Pendarovski për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit: Duhet të vazhdojmë t’i edukojmë brezat e ri

Me rastin e 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Presidenti Stevo Pendarovski theksoi rëndësinë e edukimit të brezave të rinj, që në mes tyre të mos ketë vend për diskriminim, shkruan Portalb.mk.

Presidenti Stevo Pendarovski sot, nëpërmjet një kumtese theksoi rëndësinë e rikujtimit të ngjarjeve të rëndësishmë, në mënyrë që të mos harrohen mësimet që kemi marrë prej tyre.

“Data e sotme është dëshmitare e një prej krimeve më të tmerrshme në historinë njerëzore dhe na kujton se çfarë mund të sjellë intoleranca dhe mosrespektimi i dallimeve mes njerëzve”, shkruan ai.

Pendarovski tha se është detyra jonë t’i mbajmë gjallë këto kujtime, dhe bashkë me to edhe mësimet që kemi marrë.

“Është detyra jonë të ruajmë të vërtetën për Holokaustin, kujtimin e padrejtësive dhe miliona viktimave dhe të kundërshtojmë çdo të keqe që vjen nga stereotipet, frika dhe keqkuptimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu do të ekzekutojmë drejtësi dhe do të sjellim paqe”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se duhet të vazhdojmë t’i edukojmë brezat e rinj në frymën e vlerave morale, respektimit të diversitetit dhe të drejtave njerëzore të çdo individi, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri në të cilën nuk do të ketë vend për diskriminim, ksenofobinë, antisemitizëm, anti-ciganizmin dhe racizmin.