Rroga më e lartë, shkaku kryesor për ndërrimin e punës te qytetarët me arsim të lartë në RMV (Infografik)

Brenda pesë viteve në Maqedoninë e Veriut është dyfishuar numri i të punësuarve me arsim të lartë që janë të gatshëm të ndryshojnë vendin e punës për kushte më të mira financiare. Gjegjësisht, 63% e të punësuarve në vitin 2022 kërkojnë punë tjetër shkaku i përfitimit të rrogës më të lartë, ndërkaq në vitin 2017 këtë e kanë bërë 34% e të punësuarave, raporton analiza e Portalb.mk.

Në vitin 2017 rroga mesatare mujore e tyre më e ulur ka qenë nga 20 mijë deri më 30 mijë ndërsa rroga mesatare e tyre në 2022 është nga 20 mijë deri më 40 mijë denarë. 

Nga një tjetër këndvështrim, nga të dhënat që janë në qasje në Entin Shtetëror të Statistikave, përgjatë këtyre 5 viteve numri i të punësuarve me arsim të lartë që duan ta ndryshojnë vendin e punës për shkak se kërkojnë punë adekuate për nivelin e tyre arsimor ka rënë.

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti, foto nga arkivi personal

Sipas sociologut Pajaziti në vendin tonë po vjen në shprehje trendi i multi-task personaliteteve, që janë të gatshëm të bëjnë ndryshim nga një vend pune në tjetër pa mos pasur si qëllim komodifikimin e përjetshëm të vendit të punës.

“Shikuar sociologjikisht, kjo tregon se edhe tek ne vjen në shprehje trendi i multi-task personaliteteve që janë në gjendje të bëjnë shift nga një vend pune në tjetër, që nuk mendojnë për komodifikimin e përjetshëm të vendit të punës, për letargjinë “zëre dhe mos e lësho”, për relativizimin e vendit me vendim pune, për qasje më fleksibile, më racionale, më dinamike, më ekonomike, financiarisht më të kapshme dhe për konceptin e vetëaftësimit dhe vetëadaptimit permanent. Këtë ndryshim e shkaktojnë tregu i lirë i punës ku kërkohet profesionisti që paguhet mirë, krahasuar me diplomëbartësin klasik që tanimë duhet ta verifikojë vlerën e dokumentit me performanca, me aftësi problemzgjidhëse, komunikative dhe imazhkrijuese për institucionin, organizatën ose kompaninë”, thotë Pajaziti.

Sipas tij, një faktor tjetër është edhe ai psikologjik, gjenerata e re nuk e duan monotoninë, duan sfida, gjë që është pozitive. Në të ardhmen, diploma do të jetë vetëm formalitet, pra do të nevojitet por s’do të jetë garanci për asgjë.

Ndërkaq, te të punësuarit vetëm me arsim të mesëm, shkaku kryesor për ndryshimin e vendit të punës është për shkak të zgjatjes së orarit të punës ku në krahasim me para 5 viteve, të punësuarit me arsim të mesëm në vitin 2022 kanë ndryshuar vendin e punës për shkak se u është zgjatur orari i punës ndërsa në vitin 2017 ka qenë për shkak se kanë kërkuar rroga më të larta.

Ajo që është interesante është se pjesa më e madhe e punëtorëve me arsim të mesëm dhe ata me arsim fillor edhe përpara 5 viteve edhe tani marrin rroga me shumë të njëjtë pavarësisht nivelit të shkollimit të tyre. Shumica e tyre tani marrin një shumë prej 16 mijë deri në 20 mijë denarë  ndërsa para 5 viteve kanë marrë prej 12 mijë deri në 16 mijë denarë.

Pjesa më e madhe e të punësuarve me arsim të lartë tani paguhen më shumë në krahasim me përpara 5 viteve, gjegjësisht në vitin 2017 rroga e tyre e ka arritur shumën deri në 25 mijë denarë ndërsa tani pjesa më e madhe e tyre marrin një rrogë deri në 30 mijë denarë.

Numri i personave me arsim të lartë që e arrin rrogën mujore në shumë prej 40 mijë denarësh është dyfishuar, gjegjësisht ky numër ka arritur në 46,563 persona ndërsa në vitin 2017 ky numër ka qenë 20,082 persona. Ndërkaq, numri i personave me arsim të mesëm qe e arrin një shumë deri në 30 mijë denarë është 43,767, ndërsa në vitin 2017 ky numër ka qenë 10,121.

Rroga e të punësuarve në RMV me arsim të lartë dhe të mesëm, Infografik nga Portalb.mk
Rroga e të punësuarve në RMV me arsim të lartë dhe të mesëm, Infografik nga Portalb.mk

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2022 Portalb.mk publikoi një analizë ku tregohet se në RMV numri i të papunëve është në rënie, por edhe fuqia punëtore dhe popullsia aktive në vend po zvogëlohet.

Më shumë se gjysma e të papunëve janë pa arsim ose vetëm me arsim fillor, ndërsa numri i atyre me arsim të mesëm të përfunduar që janë të papunë është i madh. 18 doktorë shkencash dhe 623 magjistra u gjetën në listën e të papunëve.

Pjesa më e madhe e të papunëve është nga mosha 20 deri në 49-vjeç, që është kategoria e qytetarëve që janë në periudhën më produktive dhe më të aftë për punë të jetës së tyre, dhe në këtë grup bëjnë pjesë 70.934 persona të papunë, që përbën 61,5% të numrit të përgjithshëm të të papunëve, ndërsa në vendin e dytë janë të papunët nga mosha 50 deri në 64-vjeç ose 21,5% e të papunëve.