Rritje e shpenzimeve në sektorin e ndërtimtarisë në Maqedoninë e Veriut, vlera arriti deri 180 milionë euro

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar është shënuar rritje e shpenzimeve nga subjektet afariste për ndërtimtari, krahasuar me vitin paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë vitit 2022 subjektet afariste të cilat merren me veprimtari ndërtimore kanë shpenzuar material ndërtimor dhe energji në vlerë prej 11 122 983 000 denarë, që është 5.9% më shumë krahasuar me vitin paraprak”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave, prej të cilave 12 % janë për karburant.

Enti sqaroi që më së shumti shpenzime bëhen në grupin e materialeve për lidhje (37.6 %) dhe te materialet për armim dhe përforcim (12.9 %).

Rritje më e madhe e çmimeve është regjistruar te materialet për dysheme dhe mure (14.5 %), materialet e çatisë (13.3 %) dhe materialet e instalimit të energjisë elektrike (12.1%).