DAP në protestë, punëtorët kërkojnë rritje të pagave për 30%

Punonjësit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike do të fillojnë grevë të përgjithshme në vendet e tyre të punës nëse nuk marrin rritjen e pagave prej 30 për qind për të cilën kanë rënë dakord. Në protestë paralajmëruese para Ministrisë së Financave, punonjësit e DAP-it i dërguan porosi ministrit Fatmir Besimi që ta nënshkruajë kontratën kolektive që t’u rriten pagat, transmeton Portalb.mk nga Alsat.

Sipas tyre, marrëveshja e re kolektive është arritur së bashku me Besimin, por është e paqartë pse ai ende nuk e ka nënshkruar atë.

“Për sa i përket financave, me shumë përgjegjësi mund t’ju informoj se arritëm në një përmbajtje që me reterimet tona ishte e pranueshme për të gjitha palët. U konsiderua punë e kryer, por deri më sot ne formalisht, sipas rregullave, nuk kemi marrë pëlqimin për të zbatuar kontratën kolektive. Nëse vjen deri te protesta më të mëdha, mendoj se të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se do të kërcënohen funksionet më vitale në shoqëri”, tha Vase Nedanoski – kryetar i organizatës sindikale.

Pakënaqësia e punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike vjen pasi Besimi vendosi që t’i rrisë pagat për 30 përqind, por vetëm punonjësve të ministrisë së tij, e jo institucioneve tjera që i përkasin të njëjtit dikaster.

Nga Ministria e Financave thanë se marrëveshja e përgjithshme kolektive është në proces të negociatave, e cila do të mundësojë rritje të vazhdueshme, të qëndrueshme të pagave, nuk ka vend për zgjidhje të veçanta para nënshkrimit të saj.

“Sa i përket kërkesës së një pjese të të punësuarve tatimorë për rritjen e pagave, theksojmë se Qeveria angazhohet për sistemin e rritjes së pagave në tërë sektorin publik. Përmes Këshillit Ekonomik dhe Social, së bashku me partnerët socialë, tashmë po punojmë mbi përcaktimin e sistemit të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Në përgatitje është Ligji i ri i Pagave për të Punësuarit në Sektorin Publik, si dhe Marrëveshja e re e përgjithshme kolektive për sektorin publik, që në të ardhmen do të mundësojë rritjen e pagave në mënyrë të vazhdueshme. Në kushte kur pritet të vendoset një zgjidhje e këtillë sistematike, për të cilën tashmë bisedohet në Këshillin Ekonomik dhe Social, çdo zgjidhje e veçantë, përpara finalizimit të këtyre dy akteve, do të nënkuptojë devijim ndaj vendosjes së sistemit të këtillë dhe arritjes së pikësynimit final”, thanë nga Ministria e Financave.