Llukarevska: Rrogat e të punësuarve në DAP rriten për 30 përqind

Drejtoresha e Drejtorisë së të hyrave publike, Sanja Llukarevska, sot në emisionin “SummerClick” në TV21 tha se të premten është arritur marrëveshje me sindikatat dhe të punësuarit e DAP-it do të kenë rritje të pagave, transmeton Portalb.mk.

“Të premten është nënshkruar marrëveshje kolektive ndërmjet organizatës sindikale dhe DAP-it dhe është marrë mendim pozitiv nga Ministria e Financave”, tha Llukarevska.

E pyetur se kur do të kenë rritje të pagave, Llukarevska theksoi se nga java e ardhshme pagat do të paguhen me 30 për qind rritje. Ajo ka sqaruar se marrëveshja është arritur në mënyrë kolegjiale, transparente dhe përmes zgjidhjes së kontesteve.

Rritja prej 30 për qind të pagave ose grevë e përgjithshme dhe bllokim i sistemit tatimor dhe pagesave. Ky ka qenë kushti i sindikatës së punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), të cilën e ka dorëzuar muajin e kaluar në Ministrinë e Financave. Procedura e grevës së përgjithshme filloi përpara një procesi ndërmjetësimi.

Pakënaqësia e punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike erdhi pasi ministri Besimi vendosi që t’i rrisë pagat për 30 përqind, por vetëm punonjësve të ministrisë së tij, e jo institucioneve tjera që i përkasin të njëjtit dikaster.

Nga Ministria e Financave thanë se marrëveshja e përgjithshme kolektive është në proces të negociatave, e cila do të mundësojë rritje të vazhdueshme, të qëndrueshme të pagave, nuk ka vend për zgjidhje të veçanta para nënshkrimit të saj.