Trump urdhëroi hetim ndaj Richard Grenell, dyshime për 17.6 mln $ dhe një donacion të zhdukur
Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të hetojë pretendimet ndaj Richard Grenellit, ish-drejtuesit të Qendrës për Artet Performuese John F. Kennedy, i cili dyshohet se ka premtuar akses te presidenti dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane në këmbim të një donacioni prej miliona dollarësh që nuk mbërriti kurrë në institucionin kulturor, raporton Klan.
Lajmi është raportuar nga Axios. Sipas Axios, çështja lidhet me biznesmenin turk Turhan Mildon dhe Alina Habba, ish-avokaten e Trump-it.
Habba e informoi presidentin për dyshimet pasi ajo dhe Mildon konstatuan se donacioni i premtuar nuk figuron në regjistrat financiarë të Kennedy Center.
Axios raporton se në maj të vitit 2025, Mildon mori një mesazh që dyshohet se ishte dërguar nga Grenell.
Në të thuhej se, pasi paratë të mbërrinin në një kompani amerikane, Grenell do të organizonte transferimin e donacionit drejt Kennedy Center. Në këmbim, biznesmeni do të përfitonte akses në evente ekskluzive dhe mundësi për të krijuar kontakte me zyrtarë të administratës, përfshirë presidentin Trump.
Mildon pretendon se, me udhëzimin e Grenellit, janë transferuar 17.6 milionë dollarë drejt kompanisë Texas Armament & Technology, me seli në Houston. Sipas tij, paratë ishin pjesë e një marrëveshjeje që lidhej me një program kompjuterik për Republikën Demokratike të Kongos, si dhe me një donacion prej afro 6 milionë dollarësh për Kennedy Center.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Mildon i ka dorëzuar Shtëpisë së Bardhë mesazhin e vitit 2025, komunikime me email dhe një dokument financiar të datës 29 maj 2025, ku pasqyrohet transferimi i 17.6 milionë dollarëve drejt kompanisë.
Këto të dhëna janë raportuar nga Axios, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Megjithatë, një zyrtar i administratës amerikane i tha Axios se paratë ishin transferuar nga Ministria e Thesarit e Republikës Demokratike të Kongos, në kryeqytetin Kinshasa, dhe jo nga llogaria personale bankare e Mildonit. Ky pretendim ngre pikëpyetje të mëtejshme mbi origjinën e fondeve dhe qëllimin për të cilin ato ishin destinuar.