Të paktën 20 të rinj nga Maqedonia e Veriut të lidhur me klanet kriminale në Serbi dhe Mal të Zi

Të paktën 20 shtetas të Maqedonisë së Veriut, kryesisht të moshës 18 deri në 25 vjeç, janë të lidhur me aktivitete kriminale në Serbi ose Mal të Zi, raportoi emisioni “KOD”, duke iu referuar të dhënave të siguruara nga redaksia, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi përshkruan mënyrën e rekrutimit, ku të rinjve fillimisht u ofrohen para, strehim dhe ndjenja e përkatësisë. Më pas, sipas emisionit, ata marrin detyra që mund të fillojnë me djegien e automjeteve dhe të vazhdojnë me transportimin e drogës dhe sulme të dhunshme.

Emisioni thekson se njëri nga të rinjtë nga Maqedonia ka humbur jetën në Beograd, ndërsa dy të tjerë ndodhen në paraburgim në Serbi dhe Mal të Zi.

Bashkëbisedueset nga komuniteti akademik paralajmërojnë se grupet kriminale shfrytëzojnë cenueshmërinë e të rinjve, nevojën e tyre për pranim dhe dëshirën për siguri materiale. Sipas tyre, identifikimi i hershëm i rreziqeve kërkon bashkëpunim të familjeve, shkollave dhe shërbimeve sociale.

“KOD” thekson se në disa raste, personave të rekrutuar u merren pasaportat dhe u sigurohen dokumente të falsifikuara. Me përfshirjen e tyre në vepra penale, largimi nga mjedisi kriminal bëhet gjithnjë e më i vështirë.