Rreth 70% e qytetarëve në RMV përdorin telefon para gjumit, mbi 40% kanë probleme me gjumin

Gati 70 për qind e qytetarëve në Maqedoni përdorin telefon ose ekran para se të flenë, ndërsa më shumë se 40 për qind janë përballur me probleme me gjumin në tre muajt e fundit. Këto janë disa nga rezultatet e një ankete anonime online të realizuar nga Klinika Universitare e Psikiatrisë, në periudhën 2–6 mars 2026, në të cilën morën pjesë 491 të anketuar, transmeton TV 21.

Sipas rezultateve, 63 për qind e të anketuarve flenë nga 5 deri në 7 orë gjatë natës11,6 për qind më pak se 5 orë, ndërsa 22,8 për qind flenë nga 7 deri në 9 orë. Anketa u realizua me rastin e muajit mars, të cilin Shoqata Evropiane për Hulumtimin e Gjumit e ka shpallur muaj për rritjen e ndërgjegjësimit për gjumin, me moton “Fli mirë, jeto më mirë”.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se 44,6 për qind e të anketuarve dëshirojnë më shumë informacione ose mbështetje profesionale për përmirësimin e cilësisë së gjumit, ndërsa 42,2 për qind thonë se vetëm ndonjëherë ndihen të pushuar kur zgjohen. Një e treta e të anketuarve deklarojnë se ndihen të pushuar, ndërsa 24 për qind rrallë ndihen të çlodhur pas zgjimit.

Shumica e pjesëmarrësve në anketë besojnë se gjumi ndikon në humor (71%)përqendrim (64%) dhe efikasitet në punë (63,3%).

Nga Klinika e Psikiatrisë në Shkup theksojnë se këto rezultate tregojnë se një numër i madh qytetarësh përballen me probleme me gjumin dhe kanë nevojë për më shumë informacione dhe mbështetje profesionale për përmirësimin e tij.

Iniciativa synon të inkurajojë individët dhe profesionistët shëndetësorë që t’i japin përparësi shëndetit të gjumit, ndërsa Klinika Universitare e Psikiatrisë i është bashkuar kësaj nisme përmes edukimit të qytetarëve dhe ofrimit të ndihmës për përmirësimin e cilësisë së gjumit.

Prof. dr. Nensi Manuseva nga Klinika e Psikiatrisë thekson se mungesa e gjumit ndikon drejtpërdrejt në funksionet mendore dhe përqendrimin.

“Mungesa e gjumit ditën tjetër i dëmton funksionet tona ekzekutive, zvogëlon përqendrimin, ngadalëson procesin e të menduarit dhe psikomotorikën, prandaj shpesh mund të gabojmë në vlerësimin e situatave, si për shembull gjatë drejtimit të automjetit apo përdorimit të makinave. Nëse këto probleme zgjasin për një kohë të gjatë, si pagjumësia kronike apo vështirësitë për të fjetur, ato mund të çojnë edhe në ankth dhe madje në depresion”, thotë ajo.

Fokusi i Shoqatës Evropiane për Hulumtimin e Gjumit këtë vit është në promovimin e zakoneve të shëndetshme të gjumit tek fëmijët, pasi gjumi është bazë për rritjen e duhur, mësimin dhe mirëqenien emocionale.

Sipas prof. dr. Stojan Bajraktarov, gjumi nuk është vetëm pushim, por bazë e zhvillimit fizik, pjekurisë njohëse dhe rregullimit emocional tek fëmijët.

“Gjatë gjumit, truri konsolidon njohuritë e reja, sekretohen hormone të rëndësishme për rritjen dhe sistemi nervor rinovohet. Nuk është e rëndësishme vetëm sa fle fëmija, por edhe kur dhe si fle. Fëmijët me rutina të rregullta para gjumit kanë cilësi më të mirë të gjumit, stabilitet emocional më të madh dhe rezultate më të mira në mësim”, thekson ai.

Si pjesë e muajit evropian për ndërgjegjësimin për gjumin, sot organizohet edhe iniciativa “Dita me pizhama” (Pyjama Day), e cila i fton pjesëmarrësit të shkojnë me pizhama në punë, në shkollë apo në aktivitete lokale.

Ky aktivitet joformal synon të përcjellë mesazhin se gjumi është bazë për shëndetin dhe mirëqenien, ndërsa përmirësimi i zakoneve të gjumit sjell përfitime për të gjithë – si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.