Rrahje në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të opozitës dhe ministrave (VIDEO)

Situata sot në Kuvendin e Kosovës ka eskaluar në përleshje fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave. Deputetët e LVV-së thonë se sulmi ka ardhur  ka ardhur kur kryeministri Albin Kurti po fliste për shtrirjen e sovranitetit në veri.

Pacolli: Opozita sulmoi Kurtin kur po fliste për arrestimin e kriminelëve serbë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, pas rrahjes në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sulmi ndodhi kur kryeministri Albin Kurti po fliste për shtrirjen e sovranitetit në veri, transmeton TV21.

Pacolli në një postim në Facebook ka shkruar se ky fjalim i Kurtit i pengoi opozitës, ndërsa shkroi se krimi e korrupsioni në veri nuk kalon më.

“Kryeministri po tregonte për shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit në veri, për stacionet e reja të policisë, për arrestimin e kriminelëve serb dhe luftimin e krimit të organizuar POR kjo siç u pa po i pengon opozitës prandaj sulmuan. Krimi e korrupsioni në veri më nuk kalon”, ka shkruar Pacolli.

Cakolli (KDI): Me ngjarjen në Kuvend sot Kosova u bë gaz i botës

Pas pamjeve që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës sipas Eugen Cakolli nga KDI Kosova është bërë gaz i botës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qytetarët e vendit nuk e meritojnë një gjë të tillë.

“Ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit që me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet, s’i meritojnë ato mandate e ato pozita”.


PDK dënon ashpër sulmin e zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së

Partia Demokratike ka dënuar sulmin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së, ani se deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ka qenë i pari që e ka sulmuar me shishe Bislimin,

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.  Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.  Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet tutje në reagim.

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti.  Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”, përfundon reagimi.


Shtohet prezenca e Policisë jashtë sallës së Kuvendit

Jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.

Disa minuta më parë, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.


Rrahje në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe ministrave

Një rrahje e madhe sapo ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, ku gjatë fjalimit të Kurtit, deputetët e opozitës e kanë sulmuar me ujë kryeministrin Albin Kurti e më pas ministrat janë përfshirë në dhunë me deputetët e PDK-së.

Rrahja ndodhi përderisa Kurti po thoshte se fletëarresti për Milan Radojçiqin është tërhequr më 19 shkurt të vitit 2021, pesë ditë pas zgjedhjeve, nga Qeveria Hoti.

Kurti më pas u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.