Dha dorëheqje drejtori i Spitalit të Tetovës – Pëllumb Vela
Drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Pëllumb Vela ka dhënë dorëheqje nga ky post në të cilin u emërua para më pak se katër muajsh, transmeton Portalb.mk.
Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur vetë Vela.
“Ju njoftoj që sot për arsye personale-shëndetësore kam dhënë dorëheqje nga posti U.D. Drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës dhe të njëjtën e kam deponuar në arkivin e Spitalit të Tetovës dhe në atë të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Vela.
Dorëheqjen e Velës e konfirmoi edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Vela në këtë post u emërua me 28 mars 2023 pas hyrjes së Aleancës së Shqiptarëve në Qeveri.
Drejtor organizativ në Spitalin e Tetovës mbetet Blerim Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim.