RMV, vetëm dy zjarre janë ende aktive në vend, të tjerat janë nën kontroll ose të shuara

Nga gjithsej 28 zjarre të regjistruara në hapësira të hapura deri në orën shtatë të mëngjesit të sotëm, vetëm dy janë ende aktive, ndërsa katër janë vënë nën kontroll dhe 22 janë shuar plotësisht, informoi Qendra për Menaxhim me Kriza, transmeton Portalb.mk.

Sipas tyre, zjarret e vetme aktive janë në fshatin Nikoliq të Dojranit, ku digjet pyll me drunj të ulët, dhe në zonën mes fshatrave Gornjani dhe Bllacë në komunën Çuçer Sandevë, ku është aktiv një zjarr pyjor.

“Nën kontroll janë katër zjarre: në komunën e Makedonski Brodit, mes fshatrave Creshnevo, Krapa dhe Lokvicë, ku digjet pyll i degraduar me lis dhe shkurre; në fshatin Slatin të Makedonski Brodit, ku digjet vegjetacion i ulët; në fshatin Xhidimirci të komunës së Velesit, ku gjithashtu digjet vegjetacion i ulët; dhe në fshatin Perovë të komunës së Resnjës, ku digjet kallamishtja”, thonë nga QMK.

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit. Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.  Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS). Në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.