RMV, tentativë e re sot në Kuvend për të kaluar propozim-ligji për falje

Sot do të ketë një tentativë të re që propozim-ligji për falje të kalojë filtrin e Kuvendit, i cili paraprakisht nuk arriti të kalonte, duke u përkrahur vetëm nga 17 deputet. Ligji i ri për falje që është propozuar përsëri nga Ministria e Drejtësisë, Presidenti i Shtetit mund të falë vetëm për dënim, e jo edhe për ndjekje penale të personave të caktuar. Falje mund të ketë vetëm nëse merret aktgjykim  gjyqësor i plotfuqishëm, transmeton Portalb.mk.

Gjatë hartimit të ligjit, siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, janë shqyrtuar disa përvoja krahasuese, siç janë  zgjidhjet që përmbajnë sistemet juridike në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga ato shtete me të cilat kemi sisteme juridike të ngjashme.

Arsyet për miratimin e Ligjit për falje, rrjedhin nga mangësitë dhe zbrazëtitë ligjore në ligjin ekzistues që janë konstatuar në zbatimin e tij praktik, si dhe nga nevoja për normimin më të saktë të çështjeve të caktuara të rregulluara me Propozim.

“Ajo që është e rëndësishme është që në të ka afate të sakta dhe janë specifikuar deri në fund ingerencat  e të gjitha palëve të interesuara që marrin pjesë në proces. Ndër të tjera bëhet edhe harmonizimi terminologjik i emrave dhe termave të veçantë. Gjegjësisht, ky Propozim Ligj për falje rregullon konceptin dhe llojet e faljes, efektin e faljes, personat e autorizuar për të dorëzuar lutje për falje, si dhe procedurën dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen”, thonë nga Ministri e Drejtësisë.

Tentativa paraprake me 2 nëntor për ta kaluar projektligji për amnisti në Kuvend nuk kaloi para deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se 17 deputetë kanë votuar “pro” dhe 66 deputetë kanë votuar “kundër” nga gjithsej 84 të pranishëm. Tre abstenuan. Prandaj, propozimi i Qeverisë nuk u miratua.

Ministria e Drejtësisë atëkohë theksoi se me këtë ligj do të arrihet risocializimi dhe shkarkimi i kapaciteteve aktuale të institucioneve penale nga numri i tepruar i personave që vuajnë dënimin me burg. Gjithashtu, ata shtuan se me lirimin e personave të dënuar me dënime më të lehta do të parandalohet infektimi kriminal i kësaj kategorie të personave.

Risitë kyçe që i përmban Propozim Ligji janë:

Çështja e të drejtës së Presidentit për t’i falur personat nga dënimi dhe nga ndjekja penale ishte një nga çështjet më të ekspozuara për të cilën grupi punues qëndroi pas zgjidhjes sipas të cilit Presidenti mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale të personave të caktuar.
Shumë domethënëse janë edhe zgjidhjet me të cilat hollësisht  është përpunuar procedura për falje, ku janë parashikuar afate të shkurtra për secilin prej institucioneve që janë të përfshira në procedurën për falje. Në të njëjtën kohë, këtu janë të rëndësishme edhe dispozitat konkrete për përgjegjësinë e personave që veprojnë sipas lëndëve, por edhe për përgjegjësinë e eprorëve të tyre.

Projektligji për amnisti, i propozuar nga ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, mbulon shtetasit e Maqedonisë të cilët janë dënuar nga një gjykatë e huaj ose ndërkombëtare në përputhje me ligjet penale të një shteti të huaj dhe janë duke vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut pas marrjes së aktgjykimit të njohur nga një gjykatë kompetente në vend, sipas marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar.

Ligji propozon lirimin e plotë të personave që janë dënuar me burgim deri në gjashtë muaj dhe për të dënuarit që janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj propozohet që të lirohen nga vuajtja e 30 për qind të dënimit.

Propozimi i ligjit nuk vlen për personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale të vrasjes, për krime kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Amnistia nuk do të zbatohet gjithashtu për krimet e grabitjes, mashtrimit në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian, pastrimit të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale, shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punës nga pakujdesia në shërbim, marrjes së ryshfetit, dhënia e ryshfetit, dhënia e shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe për marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, të gjitha nga Kodi Penal.

Përveç kësaj, amnistia nuk u referohet personave të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është lëshuar fletarrest për shkak se janë të paarritshëm për organet e përndjekjes.

Nëse votohet ky propozim-ligj, kjo do të jetë hera e katërt në vendin tonë. Hera e parë ka qenë në vitin 2017, hera e dytë kah fundi i vitit 2019 kur u votua amnistia për një pjesë të të akuzuarve për 27 prillin, hera e tretë këtë vit kur u votua amnistia për shkelësit e protokolleve të Kovidit gjatë pandemisë.