Një person ka humbur jetën nga zjarri në lagjen Aerodrom

Një zjarr i madh sot në mëngjes ka zgjuar banorët e një objekti në rrugën “Pandil Shishkov” në lagjen Aerodrom të Shkupit. Ai shpërtheu herët në mëngjesin e sotëm dhe u raportua tek autoritetet në orën 06:33. Fatkeqësisht nga zjarri ka humbur jetën një i moshuar i palëvizshëm, transmeton Portalb.mk.

“Është raportuar për zjarr në një objekt banesor në rrugën Pandil Shishkov numër 3. Ekipet kanë dalë menjëherë në terren me shtatë makina zjarrfikëse, me 15 zjarrfikës. Kemi ndërhyrë me shpejtësi, banesat përreth janë evakuuar për të parandaluar një aksident më të madh. Fatkeqësisht në banesën e djegur është gjetur një i moshuar i ndjerë. Zjarri është shuar. Ekipet tona u tërhoqën. MPB-ja ende do të hetojë shkakun e zjarrit”, thonë nga Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri BMZ e Qytetit të Shkupit.