Kovaçevski: Në takimin e liderëve në Kuvend do të zyrtarizohet data e zgjedhjeve

Në Kuvend do të mbahet takimi i liderëve në të cilin duhet të bisedohet për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024 dhe do të jetë në nivel liderësh në formatin që ishte në takimin e kaluar të liderëve të partive parlamentare, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, pa precizuar se kur do të mbahet takimi, transmeton Portalb.mk.

“Zgjedhjet do të jenë në terminin e rregullt edhe ato presidenciale edhe ato parlamentare, ndërsa saktë kur do të mbahen varet nga afatet dhe për këtë unë thash se maji ofron mundësi për mbajtje edhe të zgjedhjeve presidenciale edhe të atyre parlamentare. Atë e konfirmuan edhe një sërë liderësh tjerë të partive dhe kryetari i Kuvendit, i cili kujdeset për afatet dhe për këtë kur të përfundojë ai takim në përputhje me qëndrimet e të gjitha partive politike, sepse ai vendim miratohet me konsensus të gjerë politik ai vendim do të mund të kumtohet”, tha Kovaçevski.

Ai tha se, nuk ka disponim te të gjitha partitë politike për shfuqizim të qeverisë teknike, duke pasur parasysh afatin e shkurtër deri në zgjedhje.

“Sipas asaj që LSDM dhe BDI e kanë si marrëveshje koalicioni nga viti 2020, që është konfirmuar me formimin e Qeverisë, kryeministri duhet të jetë nga radhët e bashkësisë etnike shqiptare që është gjithashtu në pajtueshmëri me kushtetutën tonë dhe me ligjet tona. Tani është shumë herët të flitet se cilat do të jenë zgjidhjet kadrovike”, tha Kovaçevski.

I pyetur për kandidatin e përbashkët për president dhe lista të përbashkëta për deputetë, kryeministri tha se është konfirmuar se në vend ka parti që angazhohen për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër, siç tha, “tani edhe zyrtarisht kemi një bllok tjetër të partive politike VMRO – DPMNE dhe E majta të cilat janë kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe kundër NATO-s”.

“Liderët e dy partive politike thanë publikisht se nuk kanë asgjë kundër koalicionit të përbashkët. Qytetarët do të kenë zgjedhje shumë të lehtë për bllok proevropian dhe për ardhmëri evropiane të shtetit apo do të jenë për ndonjë zgjidhje alternative e cila as nuk është ofruar”, tha Kovaçevski.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë një brifingu me gazetarët të mbajtur të hënën (27.11.2023), sqaroi datat kur do të mund të shpallen zgjedhjen, në përputhje me afatet kohore ligjore. Sipas tij, nëse 8 maji është datë e pranueshme për mbajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, atëherë zgjedhjet do të shpalleshin më së voni më 28 shkurt dhe qeveria teknike të formohet deri më 28 janar.

Kujtojmë se kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi më 23 nëntor se, takimi  me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve do të mbahet në Kuvend në dhjetor.