Disa delegacione lëshuan sallën gjatë kohës që Llavrov mori fjalën në Këshillin Ministror të OSBE-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Llavrov, sot mbajti fjalim para Këshillit Ministror të OSBE-së që po mbahet në Shkup, ku fokusi kryesor është në dënimin e agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe obstruksionet ruse për të bllokuar funksionimin e OSBE-së, njofton Portalb.mk.

Pas fjalimeve hyrëse të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesve të lartë të OSBE-së, të cilët së bashku dënuan me tone të ashpra agresionin e paligjshëm rus ndaj Ukrainës, kryesuesi i OSBE-së i cili po udhëheqë me mbledhjen Bujar Osmani, sipas protokollit ua ka dhënë fjalën përfaqësuesve të shteteve anëtare të OSBE-së, për të deklaruar qëndrimet e tyre.

“Folësi i radhës është ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Llavrov”, paralajmëroi Osmani.

Momenti kur disa nga përfaqësuesit e delegacioneve e kanë braktisur sallën ku mbahet Këshilli Ministror në Shkup, pasi fjalën e mori ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Llavrov. Foto: OSBE
Momenti kur disa nga përfaqësuesit e delegacioneve e kanë braktisur sallën ku mbahet Këshilli Ministror në Shkup, pasi fjalën e mori ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Llavrov. Foto: OSBE

Derisa e mori fjalën Llavrov i cili filloi të flet në gjuhë ruse, disa prej ministrave dhe anëtarëve të delegacioneve u larguan nga salla, në shenjë proteste për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Mes delegacioneve që u larguan janë të Ukrainës, Estonisë dhe Çekisë.

Gjatë fjalimit të tij, Llavrov tha se OSBE ndodhet në gjendje mizërie, ndërkaq perspektivat janë të paqarta.

“Për diçka më shumë se një vit, Akti Final i Helsinkit do të mbush 50 vjet. Në atë drejtim, me keqardhje mund të themi se OSBE-në e pret ky përvjetor në gjendje të keqe, ndërkaq perspektivat e saja janë të paqarta”, tha Llavrov, duke shtuar se Molldavia është viktima e radhës e luftës hibride të Perëndimit kundër Rusisë.

Avioni rus ku ndodhej Llavrov ka ardhur në Shkup nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë, dhe jo siç u paralajmërua paraprakisht nëpërmjet Bullgarisë. Bullgaria ka lejuar që avioni të kalojë mbi territorin e saj, por ka kërkuar që zëdhënësja e MPJ-së së Rusisë, Marija Zaharova, të mos jetë në avion, pasi që ndodhet në listën e personave të sanksionuar për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Bojkot dhe kritika për ardhjen e Llavrovit

Ardhja e Llavrovit në Shkup ka shkaktuar reagim të ashpër nga Ukraina dhe shtetet baltike, të cilët bojkotuan pjesërisht pjesëmarrjen e tyre në këtë samit.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në lidhje me bojkotin e Samitit ka deklaruar se Rusia duhet të hiqet nga OSBE-ja, sepse ka kryer agresionin më të madh të armatosur në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke aluduar në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi në shkurt 2022.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të vendeve baltike thanë se prania e planifikuar e Sergei Lavrov “rrezikon të legjitimojë Rusinë agresore si “anëtare legjitime të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Pavarësisht se Llavrov në Shkup ka pasur takime me përfaqësues të disa shteteve, ai thuajse tërësisht është i injoruar nga shteti organizator – Maqedonia e Veriut, por edhe nga përfaqësuesit e lartë diplomatik të SHBA-së dhe BE-së.

Në aeroport, Llavrovin e priti vetëm ambasadori rus në vend, derisa kreu shtetëror i RMV-së, njoftuan se nuk do të organizojnë kurrfarë takimi me të, për shkak të agresionit rus.

Në RMV mbrëmë ishin edhe krerët më të lartë të diplomacive amerikane dhe evropiane, Antony Blinken dhe Jozep Borrell, të cilët u pritën zyrtarisht nga krerët e RMV-së, por më pas u larguan para se të vinte Llavrov.

Borrell, në lidhje me ardhjen e Llavrovit në këtë Samit, tha se është një mundësi e mirë që ai të dëgjojë pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar dhe më pas të kthehet në Moskë dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, para udhëtimit për në Samit, deklaroi se po udhëton për në Shkup që t’i kundërvihet “çmendurisë imperialiste ruse”, duke shtuar se Evropës i duhet më shumë bashkëpunim dhe siguri. Ajo theksoi se i kupton vendet baltike dhe Ukrainën për problemin që e kanë që të ulen në të njëjtën tavolinë me Lavrovin, por edhe shtoi se ka për qëllim që të bëjë gjithçka që është e nevojshme që ta pengojë Rusinë që ta shkatërrojë OSBE-në.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej sot deri të premten mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht në Shkup do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje po marrin pjesë rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtarë dhe shtete partnere të organizatës.

Në lidhje me zhvillimin e Samitit të Këshillit Ministror, lajmet më të fundit mund t’i ndiqni: KËTU.