Rokas sot do t’ia dorëzojë Mickoskit Raportin e KE-së për progresin e vendit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, sot do t’ia dorëzojë kryeministrit Hristijan Mickoski Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit. Pas takimit, të dy do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në Qeveri, transmeton Portalb.mk.

Në Raportin, i cili dje u prezantua në Bruksel, vlerësohet se Maqedonia e Veriut është angazhuar aktivisht në Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe i ka intensifikuar aktivitetet për realizimin e katër shtyllave të tij: integrimin në tregun e përbashkët të BE-së, integrimin ekonomik rajonal, zbatimin e reformave thelbësore dhe rritjen e mbështetjes financiare.

Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se mbetet e nevojshme zbatimi i reformave kyçe që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Në pjesën për politikën e jashtme, Komisioni konstaton se vendi e ka ruajtur harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe qëndrimin ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Sipas Raportit, kjo dëshmon përcaktimin strategjik të shtetit për anëtarësim në Union dhe rolin e tij si partner i besueshëm.

Maqedonia e Veriut ka vazhduar përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për përmbushjen e kushteve për hapjen e klasterit të parë “Themeloret e procesit të anëtarësimit”. Megjithatë, nuk ka përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të parapara me konkluzionet e Këshillit të BE-së të vitit 2022.

Gjatë periudhës raportuese ka vazhduar edhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Komiteti për Stabilizim dhe Asociim mbajti takim në prill të vitit 2026, i pari pas vitit 2021. Komisioni Evropian thekson se vendi ka ruajtur marrëdhënie të mira me shtetet e tjera të procesit të zgjerimit dhe ka vazhduar pjesëmarrjen në iniciativat rajonale.

Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, në Raport theksohet se marrëveshjet dypalëshe ekzistuese duhet të zbatohen me vullnet të mirë nga të gjitha palët. Ndër to përmenden Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.

Vërejtjet më serioze kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, ku është konstatuar nivel i moderuar i përgatitjes dhe përparim i kufizuar. Komisioni Evropian vlerëson se nuk ka përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet gjerësisht i përhapur dhe paraqet arsye serioze për shqetësim.

Në veçanti, theksohen vonesat në trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, disa prej të cilave parashkruhen. Sipas Komisionit, kjo kontribuon në krijimin e perceptimit se ekziston pandëshkueshmëri.

Duke prezantuar Pakon e Zgjerimit për vitin 2026 në Bruksel, eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut e ka rritur gatishmërinë për anëtarësim në BE dhe është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të harmonizimit me legjislacionin evropian.

Ajo theksoi se vendi e ka përshpejtuar zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, por se nevojiten rezultate shtesë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën e administratës publike.

Kos përsëriti se për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit dhe hapjen e klasterit të parë “Themeloret”, Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022, me të cilat parashihet përfshirja e pakicave në Kushtetutë.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian (PE), Thomas Waitz, në mbledhjen e djeshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, pas prezantimit të pakos së sivjetshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje eurokomisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të angazhohet diplomatikisht për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Komisioni Evropian, në Raportin më të ri për Maqedoninë e Veriut, në pjesën që u referohet marrëdhënieve me Greqinë, ka vlerësuar se anëtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, në raste të caktuara, nuk veprojnë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe mospërdorimin e emrit kushtetues të shtetit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Në dokument thuhet se bashkëpunimi me fqinjin jugor vazhdon në disa fusha, veçanërisht në ekonomi, ndërlidhjen infrastrukturore dhe energjetike, turizëm dhe kulturë. Megjithatë, Komisioni thekson se është i domosdoshëm zbatimi konsekuent i marrëveshjeve dypalëshe.

“Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me mirëbesim, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës, mbetet thelbësor. Anëtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të lartë, në raste të caktuara, nuk e respektojnë Marrëveshjen, përfshirë edhe përmes mospërdorimit të emrit kushtetues të shtetit, gjë që rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në Raport.

Komisioni Evropian nuk përmend zyrtarë konkretë dhe as deklaratat e tyre, por kjo vërejtje vjen në një periudhë kur përdorimi i emrit kushtetues dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës kanë qenë shkak për disa reagime nga Athina zyrtare.