RMV, sot fillon pakoja e masave antikrizë: Mbështetje financiare për kategoritë e cënueshme të qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në seancën e sotme për çështje parlamentare në Kuvend, shpjegoi pakon e re të masave kundër krizës, prej 26 masash, në vlerë të përgjithshme mbështetjeje prej 662 milionë euro, që mbulojnë 120.000 të rinj, mbi 74.000 kategori qytetarësh të cenueshëm social, mbi 187.000 pensionistë, 40.000 fermerë, gati 540.000 përdorues të aplikacionit TVSH-ja Ime, 600.000 familje dhe mbi 70.000 kompani, transmeton Portalb.mk.

“Këto janë masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve dhe likuiditetin e kompanive, duke mundësuar kështu zhvillimin e ekonomisë”, tha kryeministri Kovaçevski.

“Me këtë paketë të fundit të 9-të të masave kundër krizës, e cila, siç thashë, kap vlerën e 662 milionë eurove, duke filluar nga sot, fillojmë mbështetjen e synuar për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, nxënësit, studentët, pensionistët, qytetarët – përfitues të ndihmës sociale. qytetarët me nevoja të veçanta, prindërit e vetëm, amvisëritë me të ardhura të ulëta, fermerët, kompanitë në tranzicion të gjelbër”, tha kryeministri Kovaçevski.

Duke treguar masat, kryeministri tha se mbi 105.000 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, në 6 muajt e ardhshëm do të marrin 1.200 denarë, përkatësisht 1.800 denarë në muaj. 15.000 studentë që jetojnë jashtë vendit të studimit do të përfitojnë vauçer për transport në vlerë prej 600 deri në 1.200 denarë, për 7 muajt e ardhshëm.

Përfitues të kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, prindër të vetëm – shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç, të cilët shfrytëzojnë kompensim të veçantë, të cilëve do t’u paguhen nga 2.000 denarë në periudhën 5 mujore, janë gjithashtu mbuluar.

Në 5 muajt e ardhshëm, pensionistët me pension deri në 14.000 denarë do të marrin 3.000 denarë në muaj. Dhe për të njëjtën periudhë prej 5 muajsh, është dhënë ndihmë financiare prej 2.000 denarë për pensionistët me pensione nga 14.000 deri në 16.000 denarë dhe 1.500 denarë për pensionistët me të hyra nga 16.000 deri në 19.000 denarë.

Për fermerët është paraparë paradhënie e subvencioneve. 5000 familje do të mbështeten përmes Programit për Varfërinë Energjetike. Paketa përfshin masa mbështetëse financiare për instalimin e paneleve diellore në amvisëri, dhe vazhdon masën për subvencionimin 90 për qind të çmimit të energjisë elektrike, e cila mbulon 611,000 familje dhe 68,000 konsumatorë të vegjël në të cilët janë të punësuar 98% e punëtorëve tanë dhe për mbështetje financiare për faturat e energjisë elektrike për amvisëritë me të ardhura të ulëta – shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe pensionit social, me 1200 denarë në muaj në 6 muajt e ardhshëm.

Përmes masës “TVSH-ja ime” rimbursim i TVSH-së do të kenë 540.000 shfrytëzues, për të cilin kufiri është rritur në 2.100 denarë për çdo tremujor individualisht, nga 1.800 denarë të mëparshëm për tremujor. Mbështetje financiare është siguruar edhe për subvencionimin e kontributeve të punëtorëve të rinj dhe ekzistues, për rritjen e pagave të punëtorëve nga 3.000 – 9.000 denarë.