Qeveria e RMV-së miratoi pakon e re të masave antikrizë, do të përfitojnë pensionistët, nxënësit, studentët dhe kategori të tjera

Filloristët, nxënësit e shkollave të mesme, studentë dhe pensionistë janë kategoritë e para që mbulohen nga paketa e re e masave, për të cilat ofrohet ndihmë financiare disamujore. Masat, për të cilat janë ndarë 156 milionë euro nga buxheti, i ka bërë të ditur pasditen e sotme kryeministri Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

“Në pesë muajt e ardhshëm pensionistët me pension deri në 14.000 denarë do të marrin tre mijë denarë në muaj. Ata me pension prej 14 deri në 16 mijë denarë do të marrin dy mijë denarë në muaj, ndërsa pensionistët me të ardhura nga 16.000 deri në 19.000 denarë në pesë muajt e ardhshëm do të kenë mbështetje prej 1.500 denarë. Për këtë mbështetje janë ndarë 35 milionë euro dhe janë të mbuluar mbi 187 mijë pensionistë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në pakon e re, të nëntë me radhë të masave ndihmëse qeveritare, parashihen masa për ngritjen e standardit shkollor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga kategoritë e cenueshme, familje me të ardhura të ulëta deri në 50 mijë denarë.

“Mbi 105 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin 1200 denarë, përkatësisht 1800 denarë në muaj, për të cilat nga buxheti do të ndahen 14,3 milionë euro. 15 mijë studentë, që jetojnë jashtë vendit të studimit, do të përfitojnë kupon për transport. Në 7 muajt e ardhshëm studentët do të marrin vauçerë mujore nga 600 deri në 1200 denarë, për të cilat janë planifikuar 2 milionë euro”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në pesë muajt e ardhshëm, përfituesit e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, prindërit e vetëm, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç do të marrin 1000 denarë në muaj. Kjo masë përfshin 16.741 qytetarë me një mbështetje totale buxhetore prej 2.7 milionë euro.

Kujtojmë se pakon e re të masave antikrizë, në fillim të muajit e paralajmëroi ministri Kreshnik Bekteshi, i cili tha se pasi të miratohen do të fillojë menjëherë aplikimi i tyre,.

“Pakoja e masave antikrizë u nda dje nga Ministria e Financave me kabinetin e kryeministrit, me ne dhe me institucione të tjera të përfshira në krijimin e saj. Me shumë mundësi masat do të shpallen dhe ato do të fillojnë të zbatohen nga mesi ose në fund të javës së ardhshme”, tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Përveç pakos së re të masave kundër krizës, Bekteshi bëri të ditur se propozim-ligji për praktikat e padrejta tregtare pritet të miratohet në Qeveri, i cili më pas do të dërgohet në Kuvend.