RMV, Qeveria miratoi punësimin e përhershëm të 1.117 personave në shëndetësinë publike

Në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Financave Fatmir Besimi, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, informoi se është miratuar punësimi i përhershëm për 1.117 persona të angazhuar në shëndetësinë publike, transmeton Portalb.mk.

“Investimi në punonjësit shëndetësor është një nga segmentet më të rëndësishme për të ardhmen e kujdesit shëndetësor publik. Në krijimin e politikave shëndetësore, jetike është zgjidhja e statusit të mjekëve, tteknikëve, personelit mjekësor dhe jomjekësor me punësim të përhershëm. Sot po zgjidhim statusin e 1.117 personave, personel mjekësor, personelit ndihmës-teknik, higjienistëve dhe vozitësve, me vendim të Qeverisë hapet mundësi për punësim me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike”, tha Mexhiti.

Mjetet për punësimet e përhershme të aprovuara janë siguruar në kuadër të Institucioneve Shëndetësore Publike dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në periudhën e kaluar, edhe pse në kohë krize, investimet në shëndetësi kanë qenë të mëdha. Ne investojmë jo vetëm në pajisje dhe infrastrukturë, po investojmë edhe në kuadro, rritje pagash, shtesa për punonjësit e shëndetësisë. Me investime të tilla serioze në shëndetësinë publike, ndihmojmë në rritjen e cilësisë së shërbimit, për të lehtësuar qasjen në shërbimet shëndetësore dhe përpiqemi që pacientëve tanë t’u ofrojmë  shëndetësi evropiane”, tha Mexhiti.

Ai u zotua se edhe në periudhën e ardhshme do të angazhohet për investime dhe avancimin e kapitalit njerëzor në institucionet publike shëndetësore.

“Ne do të vazhdojmë me zhvillimin e kujdesit parësor shëndetësor, investimet kapitale në ndërtimin e objekteve të reja dhe moderne shëndetësore, si dhe investimet në trajnimin, edukimin dhe zhvillimin e kuadrit të ri mjekësor në vend. Vetëm kështu do të përmirësojmë dhe forcojmë sistemin shëndetësor në vend”, ka thënë Mexhiti.

Kujtojmë se të indinjuar nga fakti që institucionet kompetente nuk dëgjojnë problemet me të cilat ballafaqohen, disa nga punonjësit e shëndetësisë më 24 nëntor, protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë dhe përsëritën kërkesat e tyre: rritje pagash 30%, marrëveshje e re kolektive, stazh pune të beneficuar, rritje e shtesës nga 1 në 4% dhe shndërrim të orarit të punës nga të përkohshme në të pacaktuar