RMV, një pjesë e punonjësve të shëndetësisë në protestë, kryeministri thotë se kërkesat do të shqyrtohen

Disa nga punëtorët shëndetësorë të organizuar nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Shëndetësisë dhe personelit administrativo-teknik kanë protestuar sot para objekteve shëndetësore në periudhën nga ora 10:30 deri në ora 11:00. Grevën paralajmëruese e kanë mbështetur edhe disa nga drejtuesit e urgjencës mjekësore, të cilët janë shprehur të revoltuar me sirenat e ndezura të automjeteve dhe kanë mbështetur kërkesat e sindikatës, transmeton Portalb.mk.

Një pjesë e punonjësve kërkojnë rritje pagash 30 për qind, marrëveshje të re kolektive, stazh të beneficuar, rritje të pagesës së infeksionit nga 1 në 4 për qind dhe shndërrim të kontratave nga kontrata fikse në kontratë të pacaktuar për punonjësit e shëndetësisë dhe personelin administrativo-teknik. .

Punonjësit shëndetësorë dhe personeli administrativo-teknik thanë sot se nuk janë të kënaqur me rritjen e pagave prej 10 për qind dhe këmbëngulin që Ministria e Shëndetësisë t’u përgjigjet zyrtarisht kërkesave të tyre.

Lidhur me këtë temë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se qeveria ka nënshkruar marrëveshje me sindikatat e punëtorëve shëndetësorë, e cila është sindikata dominuese përfaqësuese. Ai tregoi se pagat e specialistëve janë rritur me 40 për qind, po ashtu ka pasur edhe rritje të pagave të mjekëve, infermierëve dhe personelit jomjekësor.

Kovaçevski përkujtoi se të gjithë punëtorëve u rritën pagat për 10 për qind dhe të gjithë do të marrin K-15 deri në fund të vitit në vlerë prej 10.000 denarë, kurse nga viti në vijim ashtu siç ishte paraparë me marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Kryeministri shtoi se punonjësit e shërbimit paguhen në një nivel shumë më të lartë se më parë.

Kryeministri tha se gjithmonë do të ketë sindikata të reja që do të kenë kërkesa më të larta dhe kërkesat janë legjitime, por duhet të jenë brenda asaj që kanë në dispozicion taksapaguesit. Kovaçevski tha se kërkesat që disa nga punëtorët shëndetësorë i kanë shprehur sot duhet të shihen në kuadër të mundësive dhe proceseve dhe Ministria e Shëndetësisë të diskutojë për kërkesat e tyre.