RMV, Prokuroria do të lejojë tre pacientë të Onkologjisë të kenë qasje në parahetim

Prokuroria sot do të kërkojë nga organizata joformale, përmes së cilës pacientët paraqesin kërkesat e tyre, që të zgjedh tre pacientë onkologjikë, të cilët gjatë gjithë procedurës do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në raportet e mbledhura dhe veprimet e ndërmarra të Prokurorisë. Pacientët do të duhet paraprakisht të nënshkruajnë deklarata ku do të garantojnë fshehtësinë e procedurës dhe të dhënat personale në të cilat do të kenë qasje.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore Publike, pasi disa pacientë onkologjikë kanë protestuar për ditë të tëra para institucionit, duke kërkuar zbardhjen e plotë dhe të detajuar të skandalit lidhur me shpërdorimin e mundshëm të barnave dhe terapisë biologjike për pacientët me kancer.

Të enjten ata janë pranuar në prokurori dhe një nga kërkesat e tyre ka qenë që tre pacientë onkologë të kenë qasje në dokumentacionin, për të eliminuar çdo dyshim për shpërdorime të mundshme në procedurën parahetimore.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka inkurajuar të gjithë qytetarët që kanë informacione në lidhje me këtë rast që të lajmërojnë organet kompetente.

“Gjatë ditës së sotme prokurorin publik përkatës e kanë kontaktuar përmes telefonit dhjetëra qytetarë, të cilët dëshirojnë ta ndihmojnë procedurën me njohuritë e tyre”, kumtuan nga Prokuroria.

Nga Prokuroria Publike thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e dëshmive për të verifikuar akuzat për këtë rast dhe që nga fillimi në këtë procedurë janë përfshirë mjekë dhe personel tjetër mjekësor.

Rikujtojmë se dyshimet për shpërdorim të barnave dhe terapive për trajtimin e kancerit nga Klinika e Onkologjisë në Shkup morën hov që në shtator të këtij viti dhe për një kohë të shkurtër u organizua një protestë para Qeverisë dhe Prokurorisë së RMV, meqë u paraqitën shumë persona me histori të familjarëve të tyre që kanë marrë terapi të dyshimtë për kancerin në këtë klinikë. Ministria e Punëve të Brendshme të njëjtin muaj, nga Prokuroria Themelore dhe dy banesa private konfiskoi disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe dokumentacion tjetër për shkaqe hetimore.