RMV, problemi me pasaportat do të diskutohet sot në mbledhjen e qeverisë

Qeveria në seancën e sotme do të shqyrtojë problemin që lindi me dhënien e dokumenteve të udhëtimit me emrin e ri kushtetues të shtetit, transmeton Portalb.mk.

Priten masa specifike që do të shpejtonin procesin. Pas datës 12 shkurt, dokumentet e vjetra të udhëtimit do të jenë të pavlefshme për përdorim të jashtëm sipas Marrëveshjes së Prespës.

Prej ditësh përballë pikave që ishin të hapura për fotografimin e qytetarëve, e njëjta foto gjendet me kolona të mëdha të qytetarëve që presin në radhë.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme Toshkovski dje në një intervistë për Telma tha se në periudhën e ardhshme do të hapen pika të reja kontrolli dhe do të futet puna me dy turne.

Të gjitha stacionet bazë do të jenë në funksion dhe nuk do të ketë më fotografim pa termin.

Me auditimin e përfunduar të thirrjeve telefonike për fotografim, u konstatua se edhe 30 mijë ishin fiktive, çka përbën një frenim të madh në proces.

Ai tha gjithashtu se ajo që është bërë deri më tani janë vetëm masa populiste që janë menaxhuar keq.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.