RMV, prindërit mund t’i regjistrojnë dhe të marrin certifikata për foshnjat e porsalindura pa shkuar në sportele

Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu, bashkë me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë – Fatmir Mexhiti, drejtorin e  Përgjithshëm të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë – Emir Sulejmani dhe drejtorin e Gjinekologjisë – Dr.Bashkim Ismaili, sot e promovuan shërbimin e ri “online”: regjistrimi elektronik i fëmijës së porsalindura.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, tha se me këtë lehtësohet procedura për lëshimin e certifikatave të lindjes dhe u lejon prindërve të mos shkojnë në sportelet e institucioneve.

“Trimi i vogël, i lindur në Spitalin Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Çair, është i porsalinduri i parë që merr një certifikatë elektronike të lindjes.  Këtë lajm e promovuam sot gjatë vizitës në maternitetin e Çairit. Me këtë lehtësohet procedura për lëshimin e certifikatave të lindjes dhe u lejon prindërve të mos shkojnë në sportelet e institucioneve, por menjëherë në maternitet të paraqesin kërkesën për një certifikatë elektronike dhe të njëjtin ta marrin brenda disa ditësh në formë elektronike në adresat e tyre të postës elektronike”, tha Mexhiti.

Ministri Aliu tha se aplikimi mund të bëhet nëpërmjet shërbimit “eID” nga Portali për shërbime elektronike.

“Kënaqësi që sot, jemi në Spitalin për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nëna Terezë” – Çair, për promovimin e shërbimit më të ri online: regjistrimi elektronik i fëmijës së porsalindur për lëshimin e certifikatës nga Libri Amë i të Lindurve. Nëpërmjet shërbimit të ri, tani prindërit kanë mundësi të parashtrojnë kërkesë për regjistrimin e fëmijës së tyre të porsalindur, pa pasur nevojë për të shkuar në sportelet e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë. Aplikimi nëpërmjet shërbimit “eID” nga Portali www.uslugi.gov.mk, do të mundësojë parashtrimin e kërkesës për këtë certifikatë, në mënyrë të shpejtë dhe pa vonesa”, – theksoi mes tjerash ministri Aliu.

Sipas ministrit Aliu, digjitalizimi është mënyra e vetme për të ndryshuar jetesën e qytetarëve të vendit. Ai, gjithashtu theksoi se deri në fund të vitit, do të promovohen më tepër se 150 shërbime të reja “online” në Portalin Kombëtar të Shërbimeve Elektronike.

Ndryshe, përpara dy vitesh, Portalb.mk publikoi hulumtimin në dy pjesë në lidhje me mungesën e shërbimeve digjitale për regjistrimin e foshnjave, për çka, prindërit duhej që vetë prej derës në derës të endeshin për t’i nxjerrë dokumentet e nevojshme.

Ne, verifikuam në terren procedurën e regjistrimit të foshnjës. Brenda 30 ditëve, prindi i foshnjës duhej që t’i mbledhë këto dokumente:

  • Letërnjoftimet e të dy prindërve,
  • Certifikatë e kurorëzimit të prindërve (jo më e vjetër se nga viti 2007),
  • Kërkesë për certifikatë të lindjes për foshnjën për të cilën paguhet 100 denarëtaksë administrative dhe 50 denarë në llogarinë e Drejtorisë për Udhëheqjen me Librat Amë.

Pritje dhe endje deri te dokumenti

Shkuam për ta regjistruar foshnjën në Zyrën Rajonale për Udhëheqje me Librat Amë në Qendër të Shkupit. Zyra rajonale këtu punon sipas sistemit “Një pikë për shërbime”. Kjo zyrë, pos regjistrimit të foshnjave, jep edhe certifikata të lindjes, vdekjes, kurorëzimit, por edhe shërbime tjera nga institucione tjera.  Qëllimi i “Një pikë për shërbime” është që qytetarë t’i marrin të gjitha shërbimet në një vend.

Shërbimet që qytetarët mund t’i marrin në “Një pikë për shërbime” janë të ndara në sportele, ndërkaq qytetarët presin në sportele, varësisht se çfarë shërbimi kërkojnë. Sportelet i kanë numrat e tyre identifikues, ndërkaq ka një aparat i cili jep numra, nëpërmjet të cilave presin që të vijnë në radhë.

Në rastin tonë, ne morëm një numër për të pritur në sportelet 4 dhe 5, pasi që vetëm në këto dy sportele bëhet regjistrimi i të porsalindurve. Kur e morëm numrin për të pritur në radhë, e pyetëm punonjësin nëse ka shumë persona para nesh, ai pohoi se janë tre. Për vetëm tre persona para nesh, neve na u desh të presim një orë e gjysmë për ta regjistruar foshnjën.

Pavarësisht se shkruante se në sportelet 4 dhe 5 bëhet regjistrimi i foshnjave, derisa ne pritëm, brenda orarit të punës, nuk punonin të dy sportelet, në fakt njëherë punoi sporteli 4, ndërkaq më pas ai u ndal dhe vazhdoi me punë sporteli 5.

Regjistrimi i foshnjës nuk zgjati më shumë se 10 minuta, ndërkaq punonjësi na tha që certifikata e lindjes mund të merret pas 1 jave në Zyrën Rajonale për Menaxhim me Librat Amë – Çair.

Ne shkuan për ta verifikuar nëse është bërë gati certifikata e lindjes, megjithatë, punonjësit nga Zyra Rajonale – Çair, na thanë që Zyra Qendrore ende nuk e ka lëshuar numrin amë, pra nuk është gati. Certifikatën e morëm pas 10 ditëve.

Me shërbimin e ri online, ky maltretim disaditësh, duhet të lehtësohet në një operacion të thjeshtë prej disa klikimeve nëpërmjet telefonit të mençur ose kompjuterit.

Storjet e Portalbit mund t’i lexoni më poshtë: