Ambasadorja amerikane dhe Komuna Qendër pastruan mbeturina ne Kalanë e Shkupit

Me rastin e 50-vjetorit të shënimit të 5 Qershorit – Ditës Botërore të Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor, Komuna Qendër dhe Ambasada e SHBA-së në Shkup, sot në mëngjes kanë pastruar mbeturina rreth Kalasë së Shkupit, njofton Portalb.mk.

Në ekoaksionin e ri, i cili u zhvillua nën moton #BeatPlasticPollution!, u kyçën edhe kryetari i komunës Goran Gerasimovski dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela P. Ageler, e cila në takim pune në mars tregoi interes të madh për projektet dhe politikat që i zbaton komuna për zvogëlimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Qëllimi i këtij aktiviteti, në të cilin në bazë vullnetare morën pjesë edh të punësuarit në Ambasadën e SHBA-së, USADI dhe Komunën Qendër, ishte që të mblidhen tërë mbeturinat e thata në rrugët rreth Kalasë së Shkupit, të cilat më pas në mënyrë përkatëse do të riciklohen nga ndërmarrja kompetente për menaxhim me mbeturinat NP “Higjiena Komunale”.

“Ua uroj 5 Qershorin, Ditën Botërore për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, me një dëshirë të vetme që intensivisht të punojnë në rritjen e vetëdijes kolektive për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, tha kryetari Gerasimovski.

Ambasadorja Ageler theksoi se me kënaqësi e ka pranuar ftesën që të jetë pjesë e aktiviteteve pranverore për pastrimin e Komunës Qendër. Ajo njëkohësisht i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që kanë ndarë kohë që të kontribuojnë në suksesin e ekoaksioneve të këtilla dhe dërgoi apel për angazhim më të madh në zgjidhjen e problemeve me ndotjen.

Kryetari e shfrytëzoi këtë aksion që t’u ndajë lëvdata nxënësve të shkollave fillore “11 Tetori” dhe “Dimitar Milladinov” dhe “Goce Dellçev” që morën pjesë në konkursin me temë “Mësojmë të riciklojmë – bashkë krijojmë” dhe fituan çmime për rregullimin më të mirë të shkollave me materiale ricikluese. Për realizimin e temës në fjalë, nxënësit, bashkë me prindërit dhe kuadrin arsimor, shfrytëzojnë mjete, dekorime dhe rekuizita të ndryshme që janë bërë nga materiale të riciklueshme.