RMV, PK “Mali Sharr”: Zjarri mbi Sellcë nuk është lokalizuar, ende po përhapet

Parku Kombëtar “Mali Sharr” informoi se zjarri mbi fshatin Sellcë nuk është lokalizuar, siç raportoi MPB dhe thonë se ende po përhapet. Ata publikuan fotografi nga gjendja në orën 18 në të cilin shihet tym intensiv, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve të Sellcës për të ndihmuar, njofton Portalb.mk.

“Zjarri mbi fshatin Sellcë nuk është lokalizuar, përkundrazi, ai është përhapur. Katër ditë shuarje nga ana e shërbimit të renxherëve të PK “Mali Sharr” për fat të keq nuk dhanë fryte, edhe pse morëm mbështetje edhe nga forcat e aviacionit të MPB-së të cilët hodhën 7 kova me ujë, ndërkaq në terren ka dalë edhe njësia e zjarrëfikësve nga Tetova, kjo është situata me zjarrin në orën 18:00″, thonë nga PK “Mali Sharr” në rrjetin e tyre sociale Fejsbuk.

Nga PK “Mali Sharr” vlerësojnë se për shkak të kushteve të pavolitshme të motit gjendja në mënyrë plotësuese po përkeqësohet.

U bëjnë thirrje banorëve të fshatit Sellcë të dalin dhe t’i mbrojnë pronat e tyre. Edhe njëherë përkujtojmë se ndezja e zjarrit është sjellje e papërgjegjshme dhe pa përjashtime rezulton me katastrofa. Përpjekjet për lokalizim të zjarrit vazhdojnë, thonë nga PK “Mali Sharr”.

Nga MPB-ja më herët kumtuan se Sektori për njësite të aviacionit të Ministrisë ka dërguar helikopter M171 nga Njësiti i helikopterëve për dedikime të posaçme, me ç’rast janë hedhur 20 ton ujë, ndërsa zjarri tek Sellca është lokalizuar.