RMV, pas pushimeve verore, deputetët sot i kthehen punës në Kuvend

Pas pushimeve verore, deputetët po i kthehen sot punës në Kuvend. Pushimet e të zgjedhurve të popullit nisën zyrtarisht pas festës shtetërore të Ilindenit dhe u vendosën në pauzë një ditore më 18 gusht, kur u caktua seanca për të cilën e vetmja pikë e rendit të ditës ishte propozimi për qasje në ndryshimin e Kushtetutës së vendit, trasnmeton Portalb.mk.

Seanca plenare e 18 gushtit përfundoi me miratimin e rendit të ditës, pas çka u ndërprer dhe për vazhdimin e saj duhet të informojë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Nga 119 deputetë të pranishëm në sallën e kuvendit, 70 votuan “pro” dhe “kundër” rendit të ditës ishin 47 deputetë. Nuk kishte asnjë të përmbajtur.

Për sot janë caktuar dy vazhdime të seancave të Komisionit Ligjvënës dhe një seancë komisioni e Këshillit Buxhetor të Kuvendit.

Seanca e parë plenare pas pushimeve verore është caktuar për javën e ardhshme, më 5 shtator. Propozimi i rendit të ditës për këtë seancë aktualisht ka 15 pika, ndër të cilat, një propozim për deklaratë me rastin e njëqind e njëzet vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës dhe një kërkesë për interpretim autentik të nenit 11 të Ligji për pagat dhe përfitimet e tjera.