RMV, në 24 orë ekipet e zjarrfikësve nga i gjithë vendi kanë shuar 30 zjarre, sot gjashtë zjarre aktive

Ekipet e zjarrfikësve në bashkëpunim me popullatën vendase gjatë ditës së djeshme kanë shuar 30 zjarre, ndërsa deri në mëngjesin e sotëm janë regjistruar vetëm gjashtë zjarre aktive. Tre zjarre janë aktive në rrethinën e Manastirit, në afërsi të fshatrave Cërniçan, Loznan dhe Ivanjevc, ku digjet bimësi me kërcell të ulët, dhe në rrethinën e Prilepit, në fshatrat Slepçe, Dollnen dhe Trojkrsti, ku kagjithashti digjet bimësi e ulët, transmeton Portalb.mk

Ndryshe, 30 zjarre të shuara janë regjistruar në mbarë vendin. Në komunën e Gazi Babës janë shuar tre zjarre, në afërsi të fshatit Rashtak, ku digjej bimësi e ulët dhe pyll dhe rreth fabrikës “Hekurana”, si dhe në fshatin Bërnjarci. Në Kisella Vodë të Shkupit është djegur bimësi e ulët dhe pyll në zonën e “Tre Dardhave”, ndërsa në Saraj, afër fshatit Kondovë, është djegur bimësi e ulët. Bimësi e ulët është djegur edhe në Radishani, ndërsa në fshatin Nerez të Karposhit të Shkupit është djegur një deponi.

Katër nga zjarret janë në rrethinën e Kërçovës dhe në rrethinën e Kumanovës. Tre janë në rrethinën e Strugës, dy në komunën e Krushevës, nga një në Prilep, Strumicë, Makedonski Brod, Shtip, Koçan, Probishtip, Bërvenicë (fshati Miletino), Gostivar…

Qendra e menaxhimit të krizave u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes që të mos shkaktojnë zjarr.